127 shqiptarë janë riatdhesuar, pasi u është refuzuar azili në Francë.

Në aeroportin "Nënë Tereza" azilkërkuesit janë rikthyer me avionë të posaçëm.

Në fluturimin e paradites u riatdhesuan 36 shtetas shqiptarë dhe në fluturimin e dytë në mesditë u riatdhesuan 91 të tjerë.

Operacioni i riatdhesimit u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze. Edhe gjatë këtij operacioni u riatdhesuan familje me fëmijë minorenë.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda e pranishme gjatë riatdhesimit në aeroprt, gjatë fjalës së saj nënvizoi, se çdo përpjekje për kërkim azili është e dështuar, askush të mos bëjë shpenzime ekonomike për të kërkuar azil, pasi mundësitë janë zero.

Zv.ministrja gjithashtu apeloi për të gjithë, që të ndjekin rrugën ligjore për t'u punësuar në vendet e BE-së.

Ndërkaq, bëhet me dije se operacione të riatdhesimit do të ketë dhe në ditët në vijim, jo vetëm me Francën por edhe me vendet e tjera të BE-së.