E rrëmbyer nga babai xhihadist 12 vite më parë, rikthehet në Tiranë pranë nënës dhe vëllait të saj, Eva Dumani, vajza shqiptare e mbetur e vetme në kampin e ferrit Al HolSiri. Atë arriti ta nxjerrë ilegalisht nga Siria në Turqi xhaxhai i saj, ndërsa në Shqipëri u soll në një operacion ku u përfshi edhe Anti-terrori në Policinë e Shtetit. E larguar nga atdheu në moshën 9 vjeçare, sot 21 vjeç, Eva humbi në Siri babain i cili u vra në luftë dhe gjyshen e cila shkoi ta merrte në kamp. Në vitin 2020, u kthye e vetme në Shqipëri në një operacion të vështirë riatdhesimi, vëllai i saj, Endri, në atë kohë 13 vjeç.

***

Eva Dumani ishte 9 vjeç, kur në vitin 2014 babai i saj, e mori bashkë me të vëllanë 7 vjeç, për një udhëtim drejt Malit të Zi, për fundjavë. Të paktën kështu siç i tregoi ai bashkëshortes kur i kërkoi prokurë për të nxjerrë fëmijët nga Shqipëria. Por ky ishte vetëm hapi i parë për t’i marrë me vete fëmijët në Siri. Kryefamiljari xhihadist Shkëlzen  Dumani udhëtoi në Stamboll e më tej në frontin e luftës në Siri.

Pak kohë më vonë babai i tyre u vra, dhe Eva me vëllanë, mbetën vetëm në Siri. Pas vitit 2019, të dy përfunduan në kampin famëkeq të xhihadistëve Al Hol në Sirinë veriore, ku e çuan me mbi 70,000 jetime të tjera dhe të veja të luftëtarëve xhihadistë të Shtetit Islamik

Më 26 tetor të vitit 2020, qeveria shqiptare nisi operacionin për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Një proces i vështirë, edhe të partnerëve ndërkombëtarë, që mundi të sjellë në atdhe vetëm Endri Dumanin dhe ta bashkojë atë me nënën,  bashkë me 4 anëtarë të familjes Rasha (3 fëmijët dhe nëna e tyre)

Nga informacionet që u raportuan në atë kohë, u tha se Eva, e cila ishte mbuluar me shami, ishte fshehur pasi nuk dëshironte që të kthehej, por një fakt i tillë nuk u konfirmua kurrë.  

Pas vitesh të tëra përpjekje me kokën pas për Evën e mbetur në Siri, daja i saj Xhetan Ndregjoni arriti ta kalonte ilegalisht vajzën nga kufiri Siri-Turqi 14 ditë më parë, dhe vetëm këtë 14 shkurt, Eva Dumani, sot 21 vjeçare, mbërriti në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit, duke u bashkuar me nënën të cilën kishte 12 vite pa e parë, dhe krah vëllait, nga i cili u nda 6 vite më parë, sot një djalë i rritur 19-vjeçar.

Në një bisedë telefonike me Report Tv, e ërma e të resë, zonja Mide Dumani, e cila pas vitesh të tëra që kërkonte bashkimin me vajzën shprehet se Eva është mirë, e rikthyer në familje, dhe po qetësohet. Eva do të qëndrojë fillimisht për disa ditë më familjen për t’u çmallur, ndërsa në vijim autoritetet do të kujdesen për rikthimin e saj në jetën normale, kësaj here në atdhe.

Në kampin e ferrit në Siri vdiq edhe gjyshja e tyre e cila u nis për të marrë fëmijët, por mbeti aty e bllokuar derisa ndërroi jetë në kamp.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:27
U rrëmbye nga babai xhihadist, Eva Dumani riatdhesohet pas 12 vitesh nga Siria! E ëma flet për Report TV

1771086669_evadumani.jpg

Pas 12 vitesh në Siri, e rrëmbyer nga babai i saj, Eva Dumani, këtë mesditë të 14 shkurtit është bashkuar më në fund me nënën e saj, Mide Dumani.

Në një bisedë telefonike me Report Tv, zonja Dumani, e cila pas vitesh të tëra që kërkonte bashkimin me vajzën shprehet se Eva është mirë, e rikthyer në familje, dhe po qetësohet.

Eva do të qëndrojë fillimisht për disa ditë më familjen për t’u çmallur, ndërsa në vijim autoritetet do të kujdesen për rikthimin e saj në jetën normale, kësaj here në atdhe.