TIRANË- Përmirësohet gjendja shëndetësore e vajzës 4-vjeçare, që ra nga shkallët elektrike prej katit të tretë në qendrën “Toptani Shoping Center”, ditën e djeshme (1 Shtator) në Tiranë.
Sipas informacioneve nga spitali, mësohet se e mitura është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmë mjekësore, teksa ka fraktura të shumta në kokë dhe pjesë të trupit.
Ka qenë mrekulli shpëtimi i saj duke parë lartësinë dhe dinamikën e ngjarjes, teksa shkallët elektrike e tërhoqën dhe më tej u rrëzua në hapësirën mes tyre.
Në momentet e aksidentit, e mitura ka qenë me nënën e saj, e cila ishte futur në një prej dyqaneve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 të së dielës, në rrugën “Murat Toptani” dhe u cilësua aksidentale. Policia e Tiranës tha se janë kryer të gjitha verifikimet dhe hetimet paraprake për kushtet e sigurisë të qendrës tregtare. Aktualisht e mitura ndodhet nën kujdesin e mjekëve në reanimacion dhe terapi intensive.