Një kërkesë e ish-prokurorit Tom Deda për tu bërë pjesë në gjyqin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kundër Ols Dados u rrëzua dje nga Administrativja.  Deda pretendon se Dado është emëruar në vendin e tij, pasi ai u shkarkua nga detyra, dhe ngre pikëpyetje mbi plotësimin e kritereve ligjore për emërimin e tij si prokuror në vitin 2008.

Në një postim në Facebook, një ditë pas seancës në Administrative ish-prokurori i kërkon Dados të japë dorëheqjen dhe paralajmëron se do ta vazhdojë betejën ligjore.

“Ne do ta vazhdojmë betejën dhe e vërteta do të dalë sheshit një ditë. Por ti nuk e bën dot këtë gjë, sepse ata që të bënë ty prokuror janë në poste të larta drejtuese edhe sot”, shkruan ai.

Në reagimin e tij, ish-prokurori i drejton një sërë pyetjesh publike prokurorit të SPAK, duke i kërkuar të sqarojë nëse ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nëse ka ushtruar më parë funksionin e oficerit të Policisë Gjyqësore për periudhën e parashikuar nga ligji.

"O Ols Dado, trego të vërtetën. A e ke kryer ti Shkollën e Magjistraturës? A ishe ti oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori për pesë vjet? Nëse përgjigjja është jo, si u bëre prokuror?", vijon ai.

Një  ditë më parë, Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për ligjshmërinë emërimit të Ols Dados si prokuror. Në vendim, gjykata u shpreh se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por të tërthortë dhe çështja nuk merret në shqyrtim. Avokati i kryebashkiakut tha se çështja do të shkojë menjëherë në Apel.

Reagimi i plotë i ish-prokurorit Tom Deda:

Unë isha dje në një gjyq në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, si pjesë e atij procesi ku Erion Veliaj kishte kërkuar pavlefshmërinë absolute të dekretit të ish-Presidentit të Republikës për dekretimin e Ols Dados si prokuror në nëntor të vitit 2008. Gjithçka rrotullohej rreth faktit nëse Ols Dado, që sot është prokuror i SPAK-ut, i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar prokuror ose jo. Në fakt, nuk i ka plotësuar, pasi ai është emëruar dhe dekretuar si prokuror nga profesioni i noterit, gjë që ligji nuk e ka parashikuar kurrë. Nejse, gjyqtari, një mjeran i quajtur Azbi Balliu, na e rrëzoi kërkesën.

Por unë, me këtë rast, ngre një problem madhor. Ore ti, Ols Dado, a ke një fije ndërgjegjeje? A ke pak moral? A je betuar ti t’i shërbesh ligjit dhe Kushtetutës? A do të thuash ti të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë përveç së vërtetës? O Ols Dado, po oficerët e Byrosë së Hetimit janë të detyruar me ligj që të kalojnë edhe poligrafin, makinën e së vërtetës. Ti duhet të jesh akoma më i sinqertë dhe akoma më i ndershëm, sepse je drejtuesi i tyre. Ti ke kapur një post ku populli shqiptar, Europa dhe Amerika i kanë sytë dhe shpresat nga ti. Trego të vërtetën, o njeri. Ore, a e ke kryer ti Shkollën e Magjistraturës?

A ishe ti oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurori për pesë vjet? Nëse përgjigjja është jo, ore, po si u bëre ti prokuror? Në çfarë mënyre? Apo pagove diçka, se s’të bën kush kot prokuror nga noter. A e di ti, zoti Dado, se në jetë ka pasur persona që kanë mashtruar njerëz apo institucione, duke u prezantuar si prokurorë? A e di ti se ata janë dënuar me burg?

O ti, zoti Dado, ki guximin njerëzor, shqiptar dhe juridik dhe jep dorëheqjen, o njeri, se të kapën, mor burrë, se të doli boja. Por ki guximin të tregosh të vërtetën, sepse ti edhe pasqyron sistemin, o njeri, dhe i ul imazhin. Mos harro se, që të emëroheshe ti prokuror, është dashur të largohesha nga puna unë ose një prokuror tjetër. O ti, Ols Dado, ne do ta vazhdojmë betejën dhe e vërteta do të dalë sheshit një ditë. Por ti nuk e bën dot këtë gjë, sepse ata që të bënë ty prokuror janë në poste të larta drejtuese edhe sot.