PS-ja voton propozimin e Metës, Arben Shehu zgjidhet kryetar i ri i KLSH-së (VIDEO)

TIRANE-Zgjidhet ngërçi. Arben Shehu është zyrtarisht në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pas disa muajve debate në distancë dhe rrëzimit të 3 kandidaturave të Ilir Metës, shumica socialiste pranoi propozimin e fundit të Presidentit duke votuar Shehun në krye të këtij institucioni. Kreu i ri i KLSH-së u votua sot me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim. Pas votimit, Shehu bëri betimin dhe falenderoi deputetët për besimin. "Faleminderit, zoti kryetar, faleminderit të gjithë deputetëve". Debati për këtë kandidaturë ishte i madh edhe brenda shumicës, pasi javën e kaluar në mbledhjen e grupit socialist, Erjon Braçe, Bashkim Fino dhe Spartak Braho shprehën kritika për emrin e Arben Shehut në krye të KLSH. Ata kërkuan llogari se pse u pranua kandidatura e Shehut. Por, pavarësisht kundërshtimeve nga disa deputetë socialistë kandidatura e Shehut sot mori 108 vota duke pasuar Bujar Leskajn në krye të KLSH-së. Më parë shumica socialiste rrëzoi kandidaturat e Vitore Tushës, Bahri Shaqirit dhe Petraq Milos. Arben Shehu ka një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Ndërkohë që Kuvendi sot miratoi rendin e ditës, ku u rrëzua edhe një dekret i Presidentit Meta.

Rendi i ditës që u miratua sot
1. Raporti vjetor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019 miratohet me 90 vota pro
2. Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 miratohet me 97 pro
3. Raporti vjetor i Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar për vitin 2019 miratohet me 85 vota pro
4. Projektligji “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar me ligjin nr. 9733 datë 14.05.2007 në lidhje me përkufizimin e konceptit "Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ” miratohet me 104 pro, 7 kundër, 5 abstenim
5. Projektligj "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)" miratohet me 109 pro, 5 kundër, 0 abstenim
6. Projektligj "Për pranimin e vendimit II/1 të palëve, që ndryshon “Konventën e Aarhusit për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”, ratifikuar me ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000” miratohet me 97 pro, 6 kundër, 9 abstenim
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar” miratohet me 93 pro, 16 kundër, 5 abstenim
8. Dekret i Presidentit të Republikës 11.505, datë 08.06.2020 “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 63/2020 “Për përmirësimin e zonave të biznesit (BID)” rrëzohet me 84 vota kundër
9. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.498, datë 04.06.2020, “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit” miratohet me 108 vota pro, 5 kundër, 4 abstenim
10. Njoftimi për miratimin me mirëkuptim të draftprogramit dhe draftkalendarit për periudhën në vijim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:30
VIDEO-Kujtim Gjuzi sërish s'i bindet dënimit, Ruçi: Je i sëmurë (Debati në Kuvend)

Deputeti Kujtim Gjuzi u përfshi në një replikë me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi lidhur me dënimin e tij nga Byroja e Kuvendit për ndërhyrje teksa kryeministri ishte duke folur seancën e kaluar. Nga 10 ditë, dënimi për Gjuzin u ul në 4, por deputeti opozitar kishte disa gjëra për t'i thënë Ruçit.

Në seancën e kaluar unë mungova për arsye se ju pretenduat që kisha shkelur etikën dhe rregulloren. Në fakt z. kryetar rregulloren e shkelni ju që nuk lejoni deputetin konservator të replikojë me kryeministrin edhe kur kryeministri fyen dhe vendos epitete, edhe kur kryeministri tenton ta denigrojë opozitën e përgjegjshme parlamentare. Zoti kryetar e kam shprehur, unë kam respekt për institucionet dhe për postin tuaj, por nuk mund të jem dakord me ju dhe për atë që tha kolegu që gjërat këtu me kodin zgjedhor bëhen natën. 7 parti politike kanë depozituar në mënyrë ligjore, pas konsultimit një projekt, draft për të diskutuar për ta hapur kodin zgjedhor.

Ta harrojë PS-ja dhe sekretari i saj i përgjithshëm dhe kryetari se mund të shkojnë në këtë kod.  Z. Kryetar ju kam thënë jo vetëm në telefonatën që kishim së bashku dhe gjeta mirëkuptimin tuaj, normalisht ju takon falenderimi për ne që kemi edukatë, për çështjen e Byrosë që e shtytë dhe afruat të hënën. Në fakt mësohet që kishe vendosur veton edhe aty për të çuar dënimin nga 10 në 4 ditë edhe pse kolegët e mi edhe të PS, thanë me 3 apo 2, por në fakt  nuk duhet të kisha marrë fare dënim, sepse jemi opozita që e mbajtëm parlamentin në këmbë, që të mbajtëm dhe juve kryetar të Kuvendit" tha ai.

Kryetari i Kuvendit duke iu drejtuar, i tha Gjuzi se është i sëmurë nga pikëpamja e faktit që ndërhyn sa herë janë duke folur kolegët. “Së pari lidhur me replikat me kryeministrin duhet të jesh përfaqësuesi i opozitës më të madhe parlamentare, së dyti që të bësh replikë personale me kryeministrin është kur je i atakuar për ato që ke shprehur apo ke thënë. Ju tërheq përsëri, ashtu sikur e kam deklaruar edhe në seancat e mëparshme edhe në byro, jeni i vetmi deputet që ndërhyni në kundërshtim me rregulloren sa herë flet kryeministri.

Është kategorikisht e ndaluar. Mendoje veten që kolegët e tu të ndërhyjnë si i bëhet kësaj pune, në asnjë parlament demokratik. Edhe njëherë mos ndërhy, prapë po të them, je i sëmurë në këtë pikëpamje. Jam mjek jashtëzakonisht i mirë politik. Dakord? Nga politika mos mendo se erdhe në këtë sallë dhe u bëre atë ditë politikan, mëso. E treta, nuk duhej të merrej vendim për ty.

Kjo është ekskluzivitet i sekretariatit që e ka marrë atë vendim dhe ka vetëm një organ që e gjykon që është Byroja e kuvendit dhe Byroja e Kuvendit me uljen e dënimit tënd pati në konsideratë jo se ti nuk kishte shkelur rregulloren por pati parasysh dhe reflektimin tënd duke kërkuar ndjesë kur u paraqite. Byroja gjykoi që nga 10 ditë ta bënte 4 ditë. Përsa i përket asaj që prezenca juaj këtu mbajti në këmbë maxhorancën, të kujtoj që maxhorancën e mbajnë në këmbë këmbët e veta, se ka të gjithë numrat e domosdoshëm që ky parlament të ishte funksional si për atë dhe për mua që jam këtu" tha ai.

Ora 12:11
Lita: Këshilli Politik parodi, listat e hapura janë një çështje parimore për ne

Deputeti i grupit demokrat në parlament, Korab Lita tha se nisma e opozitës parlamentare për lista të hapura nuk është individuale por një çështje parimore, ndërsa e cilësoi parodi dakordësinë e arritur në Këshillin Politik. Duke kritikuar ndryshimet kushtetuese të 2008 ku u vendos mbyllja e listave, Lita tha se kjo në fakt u bë për t'i dhënë pushtetin kryetarëve të partisë, por mbushi Kuvendin me kriminelë dhe njollosi figurën e integriteti të saj. Lita tha opozita pranoi mandatet pas largimit të PS e LSI pikërisht për të mbajtur në funksionon parlamentin dhe për të kërkuar hapjen e listave, pasi ky është qëllimi i opozitës parlamentare.

"Ajo që ndodhi në këshillin politik ishte një parodi dhe dështim total. 12 vite më parë shqiptarët vendosën të mbyllin listat e deputetëve dhe kjo ishte shmangia e hyrjes së bajraktarëve që siguronin vota me para e forcë, por kjo nuk e parandaloi këtë fenomen, pasi parlamenti u mbush me kriminelë dhe llum. Ndryshimet kushtetuese në 2008 ishte thjeshtë një manovër për të bërë kryetarët e partive të plotfuqishëm dhe sot kemi shembullin e Ramës që ka gjithçka në dorë. Opozita pranoi mandatet për të mbajtur në funksion parlamentin dhe të sillte garën mes deputetëve me lista të hapura. Nisma jonë për ndryshimin e kushtues nuk është individuale por parimore", tha Lita.

Ora 11:04
Sejko në Kuvend: Shtyrja e kësteve të kredive dhe pandemia do të rrisin kreditë e këqija

Nuk do të jetë e lehtë shlyerja e kredive pas pandemisë. Biznese e individë do të përballen me probleme të cilat do të ndikojnë në pamundësinë e pagesave të kësteve. Paraljmërimin e bën vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë nga foltorja e Kuvendit, ku raportoi për vitin 2019.

Masat e marra momentale për ndryshimet rregullative që ka bërë banka e Shqipërisë, për t’ju dhënë mundësinë bankave të nivelit të dytë për shtyrjen e kësteve të kredive ka ndikuar pozitivisht në nivelin e kredisë së keqe. Pasi moratoriumi për këstet e kredisë të përfundojë në varësi edhe të ecurisë së ekonomisë ne do të kemi disa biznese që do të hasin dhe po hasin aktualisht vështirësi pasi tremujori i dytë I këtij viti ka edhe goditjen më të fortë të krizës”, u shpreh Sejko në Kuvend.

Aktualisht niveli i kredisë me probleme është 8.1% nga 8.4% që ishte në fund të vitit 2019. Po ashtu guvernatori u shpreh se nga shtyrja e kësteve të kredisë, sektori bankar do të pësojë humbje të mëdha.

Përfitueshmëria e bankave të nivelit të dytë nga shifrat e fundit ka ardhur në rënie, sigurisht bankat do të pësojnë humbje, nuk do të vazhdojnë të mbeten me fitim”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër edhe pse një faktor negativ, guvernatori e konsideron si të keqe të domosdoshme rritjen e borxhit publik për të përballuar pasojat e pandemisë.

Rritja mesatare e borxhit publik që nga shifrat për vende të ndryshme të botës ka qenë nga 20-30%. Sigurisht që rritja e borxhit publik është një e keqe e domosdoshme në këtë situatë për të shmangur falimentimet në masë të bizneseve dhe për ti dhënë një injektim dhe frymëmarrje ekonomisë”, u shpreh Sejko.

Ekonomia e vendit, të ardhurat familjare, investimet, konsumi dhe tregtia do të pësojnë rënie të ndjeshme këtë vit, por sipas institucioneve vendase dhe të huaja do ti kthehen rritjes në vitin 2021.

Ora 10:28
Përmeti: Lejo diskutimet normale në Kuvend! Ruçi: Janë rritur të infektuarit, jo shkujdesje

1593677773_andi.jpg

Deputeti Andi Përmeti i kërkoi Gramoz Ruçit që të lejojë rikthimin e diskutimeve normale në Kuvend për cdo ligj, pasi situata e fatkeqësisë natyrore përfundoi. "Kemi më shumë se një javë nuk jemi në gjendje të jashtëzakonshme por përsëri nuk e kemi të drejtën e fjalës. Ju sillni 15 ligje, ndërsa ne kemi 2 minuta koha, 8 sekonda për një ligj për të folur. Kjo është tallje. Unë e mirëkuptoj situatën e vështirë të COVID-it, por ne këtu futemi në një sallë 150 frymë me ajër të kondicionuar, dhe rrimë 4 orë. Unë sfidoj cdo mjek që thotë se nëse rrini 4 orë nuk sëmureni dhe nëse rrini 5 sëmuremi. Prandaj riktheni diskutimet. Nëse parlamenti nuk diskuton, atëherë është si ai para 1990. Ju i pari".

Megjithatë, ashtu si javën e kaluar, Ruçi ishte i prerë, kur tha se seancat do të vijojnë në këtë mënyrë, pasi disa akte normative janë ende në fuqi, pavarësisht mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë, por edhe faktit që numri i të shtruarve dhe infektuarve është i lartë. "Unë më shumë respektoj mendimet e ekspertëve, si të vendit tonë ashtu edhe ndërkombëtarëve. Parlamenti i Shqipërisë bën më shumë në zbatim të të gjitha masave. Vërtetë ka rënë gjendja e jashtëzakonshme, por disa akte normative janë në fuqi. Pastaj 70-75 janë të shtruar në spital, nëse numri i të infektuarve ishte më i vogël, tani është rritur, prandaj shembulli më i mirë duhet të jemi në kuvendarët, prandaj nuk është koha të shkujdesemi".

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leo: 02/07/2020 16:41

    Nuk e njoh por duket djale serioz. Uroj qe mirenjohjen presidentit per propozimin mos tja vleresoj duke qene ushtar i tij ose me lek dhe ndere por me pune te paster dhe dinjitoze. Dhe kush punon paster shikohet kur sulmohet. Dhe pres qe te sulmohet. Se ndryshe do vazhdojne me tarifa fikse si bujari. Dhe te gjithe te lumtur. Vetem populli i varfer

    Përgjigju
  • Agim: 02/07/2020 16:14

    Perhere te pare ne krye te nje dikasteret me te rendesishme te shtetit , vihet nje person me integritet te plote moral, social dhe intelektual... suksese kryetariit te ri te Klsh... urime Arben !!

    Përgjigju
  • Klsh: 02/07/2020 15:04

    Jepini ilir floririt edhe shtepite e gjithe shqiptareve, ca behet do ta beni sulltan hajdutin? U ka vene nder kembe fshatari cepanit me maloken e dibres,o zot ndihmoje Shqiperine nga keta kusare e bashkepunetoret e tyre.

    Përgjigju
  • O tej: 02/07/2020 13:16

    E ardhma e Shqiprise edhte Flamir Noka

    Përgjigju
  • Tiku: 02/07/2020 11:59

    Ore ju plerat e ngelura si ti muriz nuk do merrni asnje vot se as familjet tuaja nuk do ju votojen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja