Luani Erion dhe arusha Flora u shpëtuan falë përpjekjeve të organizatës ndërkombëtare “FourPaws” nga “burgu” në të cilin po mbaheshin në veri të Shqipërisë.
Por çfarë ka ndodhur me kafshët në fjalë gjatë kësaj kohe? Momentalisht Erioni ndodhet në Gjermani, pasi bashkë me Florën u transportuan përmes një udhëtimi i cili zgjati katër ditë.
Ata, nën shoqërimin e veterinerëve dhe aktivistëve të specializuar, kaluan kufijtë e 7 vendeve dhe përshkuan 2 mijë kilometra, për të shkuar në vendndodhjen e re.
Përmes një postimi në ‘Instagram’ organizata ‘FourPaws’ ka shpërndarë fotografi të luanit Erion, duke treguar se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.
Luani nuk është më i dobët, siç ishte kur jetonte në Shqipëri, por është në një gjendje të mirë dhe duke u rritur ngadalë.
Sot ai ka fituar peshë dhe muskuj të shëndetshëm. Po ashtu krifa e tij po rritet për ditë nga pak.
“Ai është i sigurt, kurioz dhe më në fund po përjeton se si duhet të ndihet jeta për një luan”, ka shkruar organizata në faqen e saj në Instagram.
Luani Erion, 3 vjeç, dyshohet se ishte viktimë e trafikut ilegal në Shqipëri, ndërsa arusha flora, 2 vjeçe, mendohet se është kapur në natyrë në vendin tonë.
Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve Four Paws, e lokalizoi luanin përmes videove të publikuara në TikTok nga dikush që pretendonte të ishte pronari i tij.
.jpg)

Komente
