U strehua nga tërmeti, gruaja mbetet e vetme në hotelin e mbyllur: 4 orë rrugë në këmbë deri në Laç për ujë e ushqime

Bën 4 orë në ditë rrugë, për të shkuar nga një hotel në autostradë ku ka mbetur e vetme pas tërmetit të 26 nëntorit, për të marrë ushqime në qytetin e Laçit ku ka banuar.

Kjo është historia e Valbona Gjokës, një banoreje të lagjes numër 4 në Laç që banesa e saj është shkatërruar nga tërmeti. Një rrugëtim i vështirë derisa ajo nga çadrat që u siguroi bashkia, arriti përmes një të njohuri të strehohej në një hotel në autostradën Fushë-Krujë - Milot, pa paguar asnjë shpenzim.

Por tashmë pronari ka mbyllur gjithçka pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, dhe Valbona ka mbetur fillikat. Ajo kërkon që bashkia e Kurbinit t'i gjejë strehim pranë qytetit të Laçit ku janë strehuar edhe fqinjët e saj që u goditën nga tërmeti.

Valbona bën çdo ditë 4 orë në këmbë vajtje-ardhje nga qyteti i Laçit ku mbush ujë pasi uji i zonës nuk pihet, si dhe për të marrë për të ngrënë dhe ilaçe pasi vuan nga veshkat.

Zonja është e papunë dhe nuk ka asnjë të ardhur për të përballuar jetesën përveç bonusit të qirasë qe i jepet nga bashkia. Ajo jetonte me nënën e verbër, por për shkak të COVID-19 u detyruan të ndahen, pasi e moshuara shkoi në fshat ku qëndron e vetme në një çadër.

"Tërmeti më ka prishur shtëpinë, ma ka shkatërruar totalisht shtëpinë. Gjithë si pallat Bashkia na strehoi në çadra tek gjimnazi i Laçit, pastaj nëpër hotele të ndryshme. Unë për arsye se kam nënën e verbër ndenja tek një njëri imi për disa kohë. Atëherë u shpërndamë, nëna ka ikur jeton e vetme në çadër në fshat, fillikat, pasi është kohë koronavirusi. Shkon ndonjëherë ndonjë njeri i afërt i imi e shikon. Kanë shkuar edhe të bashkisë dy herë i kanë çuar ndonjë gjë. Unë kam ardhur në hotel në autostradë tek një i njohur, personi i hotelit më ka lënë me të gjitha. Por pas tërmetit, ra kjo puna e koronavirusit dhe pronari ka mbyllur çdo gjë. Kjo puna e lejes një orë, nga vendi ku jam e deri në Laç,unë dy orë shkoj e dy orë vij me mbush ujë, me marr ndonjë ushqim. Unë shkoj në këmbë gjithë autostradës. Unë jam vetëm, kam frikë. Kërkoj nga bashkia e Kurbinit të më strehojë ku ka strehuar banorë të tjerë, në kisha apo dikund pasi jam shumë larg me Laçin ku kam banuar dhe një orë leje nuk më del. Në Policinë e Kurbinit më kanë thënë shko apliko dhe mundesh, më ka dalë leja 5-8 për të dalë. Po në 5 të mëngjesit është natën, ku të shkoj, unë jam shumë larg. Bëj 4 orë rrugë, 2 për të shkuar dy për të ardhur. I blej gjërat brenda ditës së s'kam ku i lej. Këtu nuk kam ku blej asgjë, jam në rrugë, në hotel. Një paracetamol të dua nuk kam ku ta marr në autostradë. Kam qenë tre ditë e tre netë brenda se nuk kishte dalë puna e leje, pa bukë pa asgjë, kam shkuar kam marrë borxh në Laç. Jam shumë e pamundur. Kërkoj nga bashkia e Kurbinit, i lutem siç ka strehuar banorët e tjerë të më strehojë edhe mua, bashkë me ta. Unë një person jam, nuk jam se jam 10 veta. Kam frikë këtu, larg jam. Me një orë leje nuk di çfarë të bëj, bonusin e marr, por a të marr ilaçe, a të marr ushqime, a të marr bukë. Kryetarja e Bashkisë Majlinda Cara, ndihma më kanë dhënë disa herë pasi kam kërkuar, s'ka ç'bën se ka krejt Kurbinin ajo çfarë do bëjë më përpara, boll më ka ndihmuar. Por unë i lutem Majlida Carës më streho diku në Laç, të jem afër të blej diçka, më streho ku kam komshinjtë e mi, kisha e Laçit ka vende ka boll magazina. Nuk mundem më këtu", shprehet Valbona Gjoka.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Populli: 11/04/2020 10:46

    Shiteni prap voten. Bejini prap kryeministra skizofrenet qe nuk kan moral personal e familjar. Mire tju behet

    Përgjigju
  • vlor: 11/04/2020 10:07

    Ti Nuk duhet me pas ankes se e gjen zgjizhjen je Tek pull Vetem ujin e gjen Po halli te tjerve qe Nuk kan buk Jan Nga 20 veta,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentat në Vlorë, plagosen me kallashnikov dy persona, transportohen në spital

Atentat në Vlorë, plagosen me kallashnikov dy persona, transportohen në spital