Ulja nga detyra apo përgjegjësit e Taulant Ballës në Partinë Socialiste ishte një lëvizje e papritur e kryeministrit Rama, pasi vetëm pak ditë më parë ai e rikonfirmoi në detyrë dhe e lavdëroi për punën e bërë. Edhe pse deputeti më i votuar në Elbasan, sot Balla nga numri 2 i partisë që ishte, është ulur në gradat e tij duke mbajtur vetëm postin e kreut të Grupit Parlamentar të PS.

Me një buzëqeshje te sforcuar para kamerave, Balla tha se nuk e sheh këtë lëvizje si ulje të përgjegjësive të tij, pasi posti i Kryetarit të grupit parlamentar të PS është mjaft i rëndësishëm në një kohë kur në Kuvend priten të diskutohen çështje të nxehta politike.

"Unë nuk e mendoj që të jesh kryetar i grupit parlamentar është të jesh më pak i parëndësishëm. Për mua është një post i rëndësishëm në një kohë kur në Kuvend priten çështje të nxehta politike. Kryetar i shumicës është përgjegjësi e madhe e dytë pas kryeministrit në lidhje me adresimin e besimit të qytetarëve", tha Balla.

Një tjetër lëvizje e papritur ishte kalimi i Ballës nga kryetar i qarkut të Elbasanit në atë të Fierit. Ai tha se ka përgjegjësi si deputet në Elbasan, por do të mbajë edhe përgjegjësitë e tij si drejtues qarku i Fierit.   

"Mos ngatërroni detyrat e deputetit dhe të drejtimit të qarkut, pasi një politikan i mençur i bën të dyja. Të mos harrojmë që në qarkun e Elbasanit PS arriti rezultatin më të mirë. Mërzitem me Ramën nëse nuk jep investimet e nevojshme për Elbasanin", tha Balla.

Teksa falenderoi votuesit, Balla tha se PS ka ngritur një makineri elektorale shumë efikase , ndërsa u shprehu sukseset për detyrat qeverisë së re.

"Ne gjithmonë kemi rifreskuar dhe lidhur me qeverinë. Nuk kam asnjë koment përveçse mbështetjes maksimale, të gjithë ministra meritojnë respektin dhe mbështetjen e vazhdueshme. PS do të fitojë zgjedhjet e 2023 vendore dhe ato të përgjithshëm 2025", tha Balla.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:12
Do të jetë numri 2 i PS, Gjiknuri: Do të vazhdoj punën e mirë të deritanishme, është një sfidë e vështirë por e mirëpritur

 

Teksa pritet të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e konsideron si një sfidë shumë të vështirë punën si numri 2 i partisë. Teksa vlerëson kontributin e paraardhësit të tij Balla,  Gjiknuri thotë se do të vazhdojë punën e bërë deri më tani.

"Taulanti është një koleg i vjetër. Natyrshëm është një sfidë e vështirë. Unë kam eksperiencën time elektorale dhe partiake dhe do të bëj më të mirën e  mundshme për ta çuar përpara punën që është bërë me PS-në. Është një sfidë e mirëpritur. Natyrshëm unë kam lidhjet e mia me Qarku Vlorë dhe kam arritur rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në Shqipëri dhe atë eksperiencë do të shfrytëzoj për këtë detyrë", tha Gjiknuri.