DURRES- Shokë dhe bashkëmoshatarë të Erion Bobës, 15-vjeçarit të vrarë pak ditë më parë në zonën e ish-Kënetës në Durrës, u mblodhën këtë të premte në sheshin qendror të qytetit në një protestë paqësore duke kërkuar drejtësi për mikun e tyre dhe dënim maksimal për autorin e ngjarjes. Në protestë ishte i pranishëm edhe vëllai i Erionit, i cili zgjodhi të mos fliste për mediat.
Protesta e të rinjve ishte një apel ndaj organeve të drejtësisë që, sipas tyre, duhet të tregojnë transparencë dhe vendosmëri në trajtimin e çështjes. Ata u shprehën se ndihen të pasigurtë në aktivitetin e tyre të përditshëm dhe kërkojnë angazhim më të madh nga institucionet ligjzbatuese në mbrojtjen e të miturve dhe parandalimin e dhunës.
“Nuk kam besim se drejtësia do ta zbardhë siç duhet këtë çështje. Ne ndjehemi të pasigurtë në jetën tonë, sepse ka shumë të rinj që mbajnë armë të ftohta me vete”, tha një prej shokëve të viktimës, duke kërkuar masa më të forta për ndalimin e mbajtjes së thikave nga adoleshentët.
Një tjetër pjesëmarrës u shpreh se pas ngjarjes nuk ka pasur asnjë organizim nga shkolla për homazhe apo marshim simbolik, ndërsa e vetmja ndërhyrje ka qenë puna e psikologes së institucionit, e cila ka zhvilluar takime me nxënësit.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 nëntor, pas një konflikti mes dy grupeve, të gjithë të mitur, të cilët fillimisht debatuan për komente në Tik-Tok e dhe më pas u përballën fizikisht. Gjatë sherrit, nje 14-vjecar goditi me thikë në zemër Erion Bobën. Autori i mitur eshte prangos nga policia e Durresit.
Komente









