Banorët e fshatit Gramzë kanë protestuar për të tretën herë për gjendjen e mjerueshme të rrugës së fshatit.

Sipas protestuesve, një pjesë rreth 500 metra e kësaj rruge është në gjendje tejet të amortizuar dhe është kthyer në problem serioz për drejtuesit e automjeteve.

Teksa bllokuan për 1 orë rrugën, banorët apeluan për investime urgjente në rrugët e Krujës, një nga zonat më pak të investuara, të cilat, sipas tyre, janë lënë jashtë vëmendjes së qeverisë.

Unë për të ardhur nga puna më shkon rruga 3 orë. Dje i hodhën çakull sa për të na hedhur hi syve. Po 500 metra rrugë është”, tha një banor i zonës.

Aktivisti Aulon Kalaja, u bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për të rikthyer sigurinë dhe funksionalitetin e rrugëve të dëmtuara.

“Banorët kanë dalë për një të drejtë legjitime. Dje i hodhën çakull, pasi morën vesh për protestën. Nuk ka nevojë për çakull, por për asfalt. 500 metra rrugë është. Këtu kalojnë 2000 trajlera në ditë, po a mban kjo lloj rruge”, tha ndër të tjera Kalaja.