Një familje në fshatin Malasenj të Cërrikut, nuk mund të çrregjistrojë në Gjendjen Civile djalin e saj të vrarë në Gjermani.

Muharrem Hakbajrami u vra nga shoku i tij pas grindjes për një lotosporti në një lokal në Frankfurt. Ngjarja ndodhi më 24 shkurt të këtij viti. Trupi i pajetë i 25-vjeçarit mbërriti në vendlindje falë kontributeve të emigrantëve dhe shokëve të tjerë të tij. Por, tashmë familja nuk mund të kryejë procedurën e çregjistrimit në gjendjen civile.

Prindërit e Muharremit kanë vdekur që të dy dhe për rastin në fjalë interesohet xhaxhai i tij Qerim Latifi. Me gjithë fatkeqësinë e ndodhur, famlja nuk po mund të kryejë çregjistrimin e emrit të tij si të vdekur nga gjendja civile. Xhaxhai shprehet se është interesuar në Ministrinë e Jashtme e cila e ka pajisur me një letër që ai vetë duhet ta dërgonte në Gjermani. Por, nuk i është kthyer asnjë përgjigje.

“U interesova. Shkova te ministria e Jashtme, atje më dhanë një letër për të cilën më thanë: Duhet ta çosh në Gjermani. E postuam letrën dhe nuk na erdhi asnjë lloj përgjigje. Drejtohem në ambasadë gjermane... më thanë që atje (Gjermani) interesohet ambasada juaj që keni në Berlin”, tregon Qerim Latifi.

Gjendja civile në Gostimë nuk e kryen çregjistrimin pa marrë dokumentacionin origjinal. Ndaj dhe Qerim Latifi shprehet se tashmë nuk di si të veprojë. 

"Dokumentat janë. Unë nuk po bëj dot as çregjistrimin. S’dimë ç'të bëjmë, letrat janë pa vula. Gjendja civile tha këto dokumenta nuk janë të rregullta për arsye se mungon vula nga ambasada”, thotë ai.

Ai ka kërkuar ndihmën e institucioneve të shtetit shqiptar që të nisin procedurën zyrtarisht e ta ndihmojnë pasi vetë nuk është në gjendje që të ndjekë rastin në Gjermani.
 
Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)