Në mbledhjen e sotme (29 janar 2025), Këshilli i Ministrave ka vendosur mbulimin e shpenzimeve mjekësore në masën 2 milionë lekë, për mjekun e QSUNT-së, Arvin Dibrën, i cili mbeti i plagosur aksidentalisht më 10 gusht 2024, pasi u hodh për t’u larë në lumin Buna në Shkodër.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit  nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Arvin Dibra, në masën  2 000 000 (dy milionë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare””,-thuhet në VKM.

Më 14 gusht 2024, kirurgu, i cili gëzon dhe nënshtetësi italiane, u nis për mjekim më të specializuar në Itali, me një avion privat. 

Nga dinamika e zbuluar prej hetimit për ngjarjen, shefi i Kirurgjisë ka qenë duke ngrënë drekë me familjen, në një lokal në Dajç, pranë bregut të Bunës. Ai është zhytur me kokë në lumin Buna, fatkeqësisht është përplasur me gurët në thellësi dhe ka marrë dëmtime serioze. 

Ngjarja ndodhi të shtunën e 10 gushtit, rreth orës 12:25. Fillimisht 52-vjeçari u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndërhyrje mjekësore më të specializuar dhe pas operacionit të parë pati përmirësime të lehta. Por më tej është rekomanduar nisja për në Itali, për mjekim edhe më të specializuar.

Prof.Dr. Arvin Dibra aktualisht është Shef i Klinikës 1 Kirurgjikale QSUT, si dhe drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë.