Vora U-17 është shpallur kampione e Superligës U-17, pas fitores 2-1 ndaj Partizanit U-17 në ndeshjen vendimtare të sezonit, të zhvilluar në fushën e skuadrës vorake këtë të shtunë.

Takimi final i kampionatit dhuroi emocione të shumta deri në sekondat e fundit, me dy skuadrat që hynë në këtë përballje me pikë të barabarta në renditje.

Skuadra e Vorës kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me golin e Cejkut, ndërsa Partizani riktheu baraspeshën në minutën e 65-të me Himallarin. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Caka realizoi golin vendimtar në minutën e 87-të, duke i dhënë Vorës fitoren dhe trofeun e kampionit.

Në përfundim të takimit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Gjergji Petro, i dorëzoi skuadrës së Vorës U-17 medaljet dhe titullin kampion.