- Marrë nga "The Washington Diplomat" -
TIRANË, 11 shtator /ATSH/ - Shqipëria, dikur vendi më antiamerikan, tashmë renditet në ato më proamerikane, një zhvillim i madh që në një hapësirë kohore 25-vjeçare ka transformuar vendin e vogël ballkanik nga diktaturë staliniste në demokraci të maturuar.
Floreta Luli Faber, e para ambasadore në Amerikë, thotë se është krenare për rolin që ka luajtur në këto 15 vite si shefe ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë.
"Në punën timë kam mbështetur interesat e komunitetit të biznesit shqiptar dhe jam përpjekur të rris marrëdhëniet e tregtisë mes dy vendeve. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë por, në një perspektivë tjetër", u shpreh Faber për "Diplomatic Pouch" në intervistën e parë për median që kur zëvendësoi Gilbert Galanxhin në muajin maj.
Ambasada shqiptare, e rinovuar së fundmi, ndodhet përgjatë Connecticut Avenue.
"Shqipëria dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie shumë të mira partneriteti", tha ajo.
"SHBA-ja ka mbështetur vendin përgjatë gjithë procesit të transformimit në një ekonomi tregu dhe demokraci, në anëtarësimin në NATO dhe në përpjekjet për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian", shton Faber.
Faber, me origjinë nga qyteti verior i Shkodrës, është gruaja e parë që përfaqëson tre milionë bashkatdhetarët e saj në Uashington.
Historiku i vështirë dhe i ndërlikuar i marrëdhënieve me SHBA-në daton që në 1920-ën, kur presidenti Woodrow Willson njohu statusin e saj si shtet sovran, që tetë vite më vonë u bë mbretëri nën drejtimin e mbretit Zog.
Por, në 1946-ën, si pasojë e Luftës II Botërore dhe vendosjes së diktaturës komuniste nga Enver Hoxha, marrëdhëniet u prishën dhe ambasada amerikane në Shqipëri u mbyll, për t'u rihapur 45 vite më vonë, më 1991.
Regjimi i tmerrshëm i Hoxhës konsiderohet si më i ashpri në Evropë dhe i dyti në botë pas atij të Koresë së Veriut.
Nën regjimin e Hoxhës, i cili vdiq më 1986, Shqipëria ndërtoi 700 000 bunkerë prej betoni, nga frika e një pushtimi të mundshëm nga Jugosllavia, forcat sovjetike apo ato amerikane.
"Gjatë periudhës së komunizmit, ne nuk ishim të lirë të shprehnim idetë tona", kujton Faber, 47 vjeçe, e cila u diplomua për ekonomi në Universitetin e Tiranës dhe përfundoi masterin për "Marketing Ndërkombëtar" në Shkollën Norvegjeze të Menaxhimit, Oslo.
"Të gjithë ishin të varfër dhe krejtësisht të izoluar. Ne mësuam rreth ekonomisë së planifikuar dhe se si të ishim korrekt politikisht dhe nuk na lejohej të kishim pronë private për asnjë lloj arsyeje", shton ajo.
Besimi fetar ishte i ndaluar dhe më 1967-ën, Shqipëria u bë zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Kishat, manastirët dhe xhamitë u shkatërruan. Klerikët u turpëruan publikisht, disa prej të cilëve u ekzekutuan.
"Kjo ishte çmenduri", thotë Faber, duke pasur parasysh traditën e tolerancës fetarë të vendit për shekuj me radhë. Gjatë Luftës II Botërore, familjet myslimane fshehën fqinjët e tyre hebrenj nga pushtuesit nazistë. Si rezultat, asnjë hebre shqiptar nuk vdiq gjatë Holokaustit.
"Ne jemi myslimanë. Katolikë dhe ortodoksë, por ne jemi tolerantë kur bëhet fjalë për besimin", thekson Faber.
"Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë pjesë e konflikteve etnike të besimit", thekson ajo.
Shqipëria e ndaluar e para shumë kohëve, sot është ndër të preferuarat për turistët evropianë, të cilët dynden në plazhet relativisht të paprishura të vendit në detin Adriatik. Tërheqja turistike përfshin alpinizmin, rafting dhe vizitat në kishat 2 000-vjeçare si dhe i rrënojave romake në vende të tilla si Butrint, Gjirokastër dhe Berat.
Një tjetër sektor i begatë është energjia. Në maj, qeveria shqiptare ka ofruar shtatë blloqe në det të hapur dhe në bregdet për kompanitë e interesuara për eksplorimin e naftës dhe gazit, pas një zbulimi të rëndësishëm të vitit e kaluar nga "Shell" dhe "Petromanas" në jug të Shqipërisë.
"Qeveria është e fokusuar në mënyrë specifike në përpjekjen për të sjellë kompani të mëdha amerikane në Shqipëri. Këta investitorë amerikanë janë në kërkim të tregjeve të mëdha dhe energjia është potencialisht një nga industritë tona më të rëndësishme", tha ajo.
Megjithatë, ekonomistët janë të shqetësuar në lidhje me efektin përhapës të krizës ekonomike që rëndon te fqinji i saj Greqia. Në fakt, bankat greke përbëjnë 16 për qind të totalit të aseteve bankare të Shqipërisë, një raport i tejkaluar vetëm nga Bullgaria dhe Maqedonia.
Sipas "Economist Intelligence Unit", vlera e eksporteve shqiptare në Greqi ra me 10,7 për qind në mes të nivelit rekord të tyre në 2008 dhe 2015. Duke qenë për shumë vite tregu i dytë më i madh i eksportit të Shqipërisë, tani Greqia është në vendin e pestë.
"Shqipëria nuk po vuan drejtpërdrejt nga kriza greke", tha Faber, edhe pse pesë nga 17 banka të vendit janë me pronësi greke. "Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në dy vitet e fundit, me një fokus të madh në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Objektivat tona afatgjata përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe tregut informal", thekson ajo.
Shqipëria, që u anëtarësua në NATO në vitin 2009, kërkon gjithashtu që një ditë t'i bashkohet BE-së, edhe pse ambasadorja pranon se nuk do të ndodhë për pak kohë sepse Brukseli duhet të zgjidhë fillimisht krizën e eurozonës.
Homologu i Faberit në Tiranë është ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, i cili ka njohuri në lidhje me shërbimin në vendet ish-komuniste. Para se të vinte në Shqipëri, ai punoi si diplomat amerikan në tre republika ish-sovjetike, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan. Gjithashtu, ai ka shërbyer në Pakistan dhe Indi.
"Populli shqiptar është shumë pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveria jonë ka mbështetur jashtëzakonisht të gjitha përpjekjet e qeverisë amerikane në luftën kundër terrorizmit", tha Faber.
"Përmes anëtarësimit tonë në NATO, ne jemi duke u përpjekur të jemi një model për vendet e tjera", shton ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber./ (Nga Larry Luxner)









