Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, është takuar sot në SHBA me Michael Rigas, Zëvendësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Gjatë takimit u theksua partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunimin e ngushtë, që i shërben të ardhmes dhe prosperitetit të të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi se SHBA mbetet partneri kryesor strategjik i Shqipërisë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në rrugëtimin euroatlantik dhe reformat e brendshme të vendit, duke nënvizuar rolin e Kuvendit si institucion kyç në avancimin e këtyre reformave.

Sakaq, Michel Rigas, në një postim në Twitter, shkruan se “do të vazhdojmë punën tonë me Shqipërinë për stabilitetin rajonal dhe global, forcimin e NATO-s, çmontimin e organizatave kriminale transnacionale dhe rritjen e mundësive të biznesit në SHBA”.

Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, forcimi i shtetit të së drejtës, si edhe përpjekjet e përbashkëta për të adresuar fenomenet e krimit të organizuar në rajon. Po ashtu, u diskutua zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe rritja e investimeve amerikane në sektorë strategjikë në Shqipëri. U vlerësua gjithashtu roli i Shqipërisë si aleate e besueshme në NATO dhe angazhimi i saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale, përfshirë gatishmërinë për të përmbushur objektivat e reja të Aleancës drejt rritjes së shpenzimeve në mbrojtje, si edhe angazhimi maksimal për mikpritjen e Samitit të NATO-s.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve strategjike të konektivitetit dhe sigurisë në rajon, përfshirë zhvillimin e Porto Romanos dhe rëndësinë e Korridorit 8, si një bosht i ri europian që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke shërbyer jo vetëm si projekt i zhvillimit ekonomik, por edhe si korridor i sigurisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. Peleshi dhe Zëvendëssekretari Rigas diskutuan gjithashtu zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë tek Kosova dhe roli i shqiptarëve si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, integrimin dhe paqen në rajon, si edhe rolin e Shteteve të Bashkuara si garant i paqes dhe integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi u vlerësua si një moment domethënës për diplomacinë parlamentare shqiptare dhe një hap i rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, duke forcuar më tej rolin e Kuvendit si nxitës dhe mbështetës i bashkëpunimit mes dy vendeve.