Shteti Islamik në këtë letër kërkonte nga Kosova si vend i vogël mysliman të mos rreshtohej në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit në luftën, siç e quanin ata kundër myslimanëve, raporton Gazeta Ekspress.
Letra përmbante midis të tjera edhe rreshta me kërcënime për shtetin e Kosovës. Sipas Gazetës Ekspres nëse Thaçi si kryeministër nuk hiqte dorë nga ky rreshtim, arrestonte besimtarë dhe hoxhallarë të Kosovës e prisnin sulme dhe hakmarrje e madhe.
Letra është dërguar pak muaj pasi Abu Bakr al-Baghdadi është shpallur si kalif (udhëheqës) dhe mban datën 21 nëntor 2014. Kërcënimi ka ardhur nga grupi i xhihadistëve kosovarë atje, por sipas procedurave secila letër apo komunikatë duhet t’i nënshtrohet autoritetit të kalifit i cili në fund e nënshkruan.
Letra filimisht ka mbërritur në Ambasadën e Kosovës në Katar dhe më pas ka shkuar në kryeministri përmbajtja e saj e kishte shqetësuar Thaçin. Sipas raportimit të Gazetës Ekspress menjëherë Thaçi kishte vizituar shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakajn, i cili e kishte garantuar se situatën e kishte nën kontroll.
Në letër përmenden sulmet e “të pafeve kundër trojeve myslimane shqiptare” që pas rënies së Perandorisë Osmane. Kërkohet ndalimi i arrestimeve. Kërkohet po ashtu ndalimi i përpjekjeve për të ulur zërin në xhami gjatë thirrjes së ezanit. Ka përmendur edhe djegien e flamurit islam që ishte bërë nga të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës pas sulmeve që kishin ndodhur në Parisë në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo nga pjesëtarë të ISIS-it.
“Një proverb popullore thotë: ‘i mençuri merr mësimet nga gabimet e huaja, kurse ai që është i marrë mëson nga gabimet e veta’. Duke u nisur nga kjo thënie, a nuk mjaftojnë për mësim gabimet dhe dështimet e perëndimit në krye me Amerikën në përpjekjet e tyre për shtypjen e myslimanëve?”, shkruhet në letër.
Sipas kësaj letre kërcënuese, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shpallen luftë islamit dhe myslimanëve, por prej këtyre konflikteve myslimanët veçse dolën më të fortë.
Në këtë letër Thaçi krahasohet me Sllobodan Millosheviqin, ish-kryetarin e Serbisë i akuzuar për krime lufte. Aty është përmendur edhe deklarata e një zyrtari të shtetit të Kosovës i cili kishte thënë se ata që shkojnë në Siri duhet t’i marrin biletat një drejtimëshe. Në letër thuhet se me këtë po detyrohen muxhahedinët kosovarë që të kthehen “për t’i mbrojtur myslimanët”.
Letra përmend arrestimet e të dyshuarve për terrorizëm në Kosovë. Vlerësohet si ekzagjerim i këtyre masave pas vrasjes se një të mituri në Irak nga terroristi nga Kaçaniku, Lavdrim Muhaxheri. Cilësohet si represion mbi myslimanët.
“Nëse shpresoni edhe më tutje në skena të tilla ju premtojmë se këtë ëndërr tuajën do t'ua shndërrojmë në ankth”, vazhdon kërcënimi.
ISIS i drejtohet popullit të Kosovës duke i thënë se këtë konflikt “mes besimit dhe mohimit apo mes myslimanëve dhe jo myslimanëve, udhëheqësit kosovarë janë rreshtuar në palën e mosbesimit për t’i shtypur myslimanët”.
“Dijeni se çmimin e kësaj më së shumti do ta paguani ju si popull”. Abu Bakr al-Baghdadi është udhëheqës i ISIS-it dhe ka shpallur kalifatin më 3 korrik të vitit 2014 në territorin e Sirisë dhe Irakut. Pjesë e organizatës së tij terroriste janë bërë rreth 300 kosovarë, por 50 prej tyre janë vrarë dhe më shumë se 60 janë arrestuar dhe akuzuar në Kosovë.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)