TIRANE- Nëse nuk do të kenë kurrikula që i përshtaten altertekstit, apo staf të kualifikuar, shkollat e arsimit privat parauniversitar mund të humbasin licensën apo të mos e marrin fare lejen që në fillim. Këto janë kritere që të gjitha këto institucione duhet t’i zbatojnë e për këtë arsye në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ministria e Arsimit ka intensifikuar kontrollet.

 Autoritet e MASH thonë se të njëjta udhëzime janë lëshuar si për institucionet publike, dhe për ato private. “Çdo institucion arsimor parauniversitar është i detyruar që në marrjen e lejes së tij të zbatojë një kurrikul zyrtare, të domosdoshme sepse një nxënës mund të lëvizë nga një institucion privat, në një institucion arsimor publik. Kështu që është e detyruar kurrikula zyrtare, është i detyruar alterteksti. Një institucion arsimor parauniversitar, që nga licensimi i tij duhet të zbatojë detyrimet, duhet të ketë një staf të kualifikuar sepse nuk i jepet licensa ndryshe”, -shpjegon Alfred Mullai, drejtor i Arsimit Privat në MASH.

Në total, numri i institucioneve të arsimit parauniversitar privat në vend, duke përfshirë këtu kopshte, çerdhe, shkolla 9-vjeçare e gjimnaze shkon në 547. Ndërkohë, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, autoritetet e arsimit u bëjnë thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre vetëm nëse institucionet arsimore kanë licencën e ministrisë së Arsimit.
(sg/shqiptarja.com)