Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, paraqiti të premten një propozim të ri negociues për të tejkaluar bllokadën lidhur me rrezikun e mbylljes së qeverisë (shutdown).
Ai deklaroi se demokratët do të votojnë për rihapjen e qeverisë, nëse republikanët pranojnë të zgjerojnë për një vit subvencionet për kujdesin shëndetësor, të cilat janë planifikuar të skadojnë në fund të vitit.
Schumer shpjegoi se me këtë propozim “nuk po negociojmë mbi kujdesin shëndetësor gjatë mbylljes së qeverisë, gjë që senatori John Thune ka insistuar se dëshiron”. Ai i referohet liderit të republikanëve në Senat, John Thune.
“Populli amerikan do të marrë zgjatjen e mbështetjes fiskale që dëshiron”, shtoi ai.
Sipas Guardian, udhëheqësia e Partisë Republikane nuk ka dhënë ende një përgjigje.
Megjithatë, kryetari i Dhomës, Mike Johnson, deri tani refuzon të angazhohet për miratimin e një mase që do të zgjeronte subvencionet e Obamacare. Shumë republikanë në Dhomë pritet të kundërshtojnë një propozim të tillë.
Thune ka deklaruar se punimet do të vazhdojnë gjatë fundjavës me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje për shutdown-in. Ai gjithashtu tha se Senati do të votojë një projekt-ligj për pagat e punonjësve federalë, por nuk ka plane të menjëhershme për këtë.
Komente











