Miroslav Lajçak, emisari i BE për dialogun Kosovë-Serbi ka treguar rezultatet e vizitave në Beograd e Prishtinë së bashku me Gabriel Escobar, përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor për të ulur tensionet në Veri.
Në një postim në Facebook thotë se ka shpresuar më shumë por situata është ende e tensionuar dhe po punojnë për t’i dhënë një zgjidhje. Sa i përket takimeve në Prishtinë me presidenten, kryeministrin dhe opozitën thotë se e kanë theksuar nevojën që të mos ketë përshkallëzim të situatës. Ata kërkojnë zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve në komunat me shumicë serbe dhe kthim në dialog.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”, tha Lajçak.
Për liderët e opozitës thotë se i kërkuan mbështetje për të zbutur tensionet jo të shkaktojnë më shumë dëm në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
Po ashtu, raporton edhe për takimin që e ka pasur me Listën Serbe, duke thënë se janë përfaqësuesit e palës së prekur.
“Pasi që asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa përfshirë popullatën e prekur, DAS Escobar dhe unë u takuam me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, për të dëgjuar prej tyre dhe për të shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”.
Më pas, Lajçak ka treguar për vizitën që e ka pasur në Beograd, duke treguar për takimet që pati atje bashkë me Escobarin. Ai thotë se patën diskutime të gjata por jo të lehta me presidentin Aleksandër Vuçiç.
“Ne i shpjeguam atij se si duhet të kontribuojë për të dalë nga kriza aktuale dhe trajtuam situatën komplekse të serbëve në Kosovë. Në mënyrë të veçantë theksuam se ndërsa të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, dhuna nuk është kurrë e pranueshme dhe nuk mund të ketë asnjë mosndëshkim”, shkroi Lajçak.