Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka mbërritur ditën e sotme në Zvicër ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos.

Mbërritja e Trump ishte parashikuar më parë, por avioni i tij shfaqi një defekt dhe udhëtimi u shty.

Para udhëtimit Trump i ka dyfishuar kërcënimet për të marrë kontrollin e Groenlandës, duke thënë se nuk ka kthim pas.

"Ndoshta mund të gjejmë një zgjidhje me Evropën", tha Donald Trump në një intervistë për NewsNation.

 "Ndoshta edhe në Davos në ditët në vijim", shtoi ai.

Groenlanda, përsëriti presidenti, është "e rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për sigurinë ndërkombëtare. Ne po ndërtojmë Kupolën e Artë dhe Groenlanda e bën atë shumë më efektive".

lajm në përditësim...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:54
Kërcënimi i Trump për tarifa doganore, Starmer: Nuk do të tërhiqem nga mbështetja për Groenlandën

1767456171_KeirSteimer.jpg

Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi se nuk do të tërheqë mbështetjen e tij për Groenlandën, pavarësisht kërcënimit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosje të tarifave doganore.

Starmer u shpreh se kërcënimet për të vendosur tarifa doganore janë krejtësisht të gabuara.

“Kërcënimet për tarifa doganore, për të ushtruar presion mbi aleatët janë krejtësisht të gabuara. Unë nuk do të tërhiqem, Britania nuk do të tërhiqet nga parimet dhe vlerat tona në lidhje me të ardhmen e Groenlandës”, theksoi kryeministri.

Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe se e kishte bërë të qartë qëndrimin e tij lidhur me çështjen e  Groenlandës.

"E para nga këto është se e ardhmja e Groenlandës është vetëm për popullin e Groenlandës dhe Mbretërinë e Danimarkës", shtoi Starmer.

Ora 13:07
Avioni ‘Air Force One’ ulet në pistën e aeroportit të Cyrihut, presidenti Donald Trump mbërrin në Zvicër

Avioni i presidentit Donald Trump është ulur në pistën e aeroportit të Cyrihut në Zvicër. Trump do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që zhvillohet në Davos.

Përpara se të mbajë fjalim në Forum, Trump d të zhvillojë takime me disa udhëheqës biznesi. Mbërritja e Trump ishte parashikuar për më herët por avioni i tij pësoi një defekt dhe nisja u bë me vonesë.

Ora 12:32
Debati për Groenlandën! Sekretari i NATO-s në Forumin Ekonomik të Davosit: Çështja kryesore tani është Ukraina

1768995318_rutte.JPG

"Çështja kryesore nuk është Groenlanda tani, çështja kryesore është Ukraina".

Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në Davos.

Duke folur në një panel në Forumin Ekonomik Botëror, Rutte thotë se është pak i shqetësuar se mund të humbasë vëmendja nga lufta në Ukrainë, duke u përqendruar në çështje të tjera.

“Pavarësisht humbjeve në dhjetëra mijëra njerëz në dhjetor, Rusia po i shton ende sulmet e saj ndaj Ukrainës”, theksoi Rutte.