Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, mori pjesë në dëgjesën Jubilare të Papa Leone XIV e mbajtur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në kuadër të Ditës Kulturore të Arbëreshëve.

Gonxhja shprehu nderin e jashtëzakonshëm teksa dëgjoi nga afër Atin e Shenjtë përpara mijëra besimtarëve të ardhur nga e gjithë bota. Ndër të tjera, ministri shkruan se e pati kënaqësinë ta falënderonte Papën për vëmendjen e treguar ndaj vlerave të kulturës shqiptare, si edhe për ftesën e veçantë të Selisë së Shenjtë, që mundësoi jo vetëm takimin e përzemërt, por edhe një përshëndetje të posaçme të Papës drejtuar përfaqësuesve të komunitetit arbëresh.

“Në Dëgjesën Jubilare të Papa Leone XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku përveç nderit të jashtëzakonshëm për ta dëgjuar nga afër Atin e Shenjtë përpara mijëra besimtarëve nga e gjithë bota, pata kënaqësinë ta falenderoj për vëmendjen ndaj vlerave të kulturës shqiptare dhe ftesës speciale të Selisë së Shenjtë për të na mundësuar jo vetëm takimin e përzemërt por edhe një përshëndetje të Tij me grupin e përfaqësuesve të komunitetit arbëresh, në vijim të Ditës Kulturore të Arbëreshëve, në Romë! Mesazhi i Tij për solidaritet dhe shpresë mbushi zemrat e pelegrinëve prezent dhe gjithë audiencës botërore!” u shpreh Gonxhja.