TIRANE- Të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar do të vlerësohen për cilësinë me anë të kartës së performancës. Ky është urdhri më i fundit i nxjerrë nga Ministria e Arsimit e cila parashikon që çdo shkollë duhet të plotësojë kartën e cila garanton cilësinë e ofertës së shkollës përmes treguesve të standardizuar dhe shërben si instrument për vetëvlerësimin e shkollës dhe inspektim.

“Karta e performancës u shërben prindërve, drejtuesve, mësuesve, nxënësve, DAR/ZA-ve, komunitetit dhe gjithë të interesuarve, të  analizojnë dhe krahasojnë rezultatet e shkollës me tregues të ndryshëm të arritjeve në një dokument lehtësisht të përdorshëm” thuhet në udhëzimin e firmosur dje nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Sipas këtij udhëzimi drejtoritë Arsimore do të përdorin këtë kartë për të analizuar arritjet e shkollave në nivel rajonal, për të parë ato shkolla të cilat në disa tregues kanë nevojë për përmirësim. Por, do të jenë një sërë treguesish ata të cilët do të bëjnë edhe diferencën mes një shkolle tjetre.

Kështu, Një nga pikat kryesore do të jenë notat në provimet e Maturës Shtetërore apo atyre të Lirimit, sa është kalueshmëria e tyre, dhe nxënësve janë vlerësuar me notën maksimale. Po kështu një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe numri i projekteve që fiton shkolla në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, si dhe fituesit që dalin nga kjo shkollë në konkurset  që shpall Ministria e arsimit. Por edhe mungesat janë një tjetër tregues i rëndësishëm, dhe ato do të maten si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.

Ndërkohë që çdo fundviti drejtuesit e institucionit duhet të bëjnë të ditur se sa është numri i nxënësve të regjistruar në fillim të vitit dhe sa janë larguar në fund të tij, apo sa të tjerë janë transferuar nga një shkollë tjetër në institucionin që ata drejtojnë. Por edhe niveli i mësuesve është një tregues i rëndësishëm, pasi në çdo kartë të përformancës do të jenë rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimeve për 5 vitet e fundit.

Por edhe siguria në ambientet e shkollës do të jetë një tjetër matës i mirë së performancës së institucioneve arsimore. “Përkujdesja për shëndetin, sigurinë e nxënësve dhe  punonjësve arsimorë, kushtet ekologjike, të higjienës dhe  pastërtisë në mjediset e shkollës, krijimi i një mjedisi psiko-social që synon eliminimin e dhunës dhe sjelljeve të rrezikshme janë një sërë treguesish të tjerë që duhet të plotësohen” thuhet në udhëzim.

Pas matjes së këtyre treguesve si në institucionet arsimore private ashtu edhe në ato publike do të bëhet edhe renditja e tyre. Për institucionet që nuk kanë një performancë të mirë do iu lihet detyrë plotësimi i këtyre treguesve për vitin në vazhdim. Kjo renditje do të jetë publike në mënyrë që prindërit të jenë të orientuar për përformancën që ka shkolla ku kanë regjistruar fëmijët e tyre. 

Vlerësimi i performancës do të bëhet për:
-Përqindjen e nxënësve kalues në Provimet e Lirimit/Maturës Shtetërore.
-Nota mesatare e shkollës në Provimet e Lirimit/Maturës Shtetërore gjatë pesë viteve të fundit.
-Diferenca ndërmjet vlerësimit të Provimeve të Lirimit dhe vlerësimit të këtyre lëndëve në  përfundim të klasës së nëntë si  dhe të Maturës Shtetërore dhe vlerësimit të këtyre lëndëve në përfundim të klasës së dymbëdhjetë.
-Përqindja e grupnotave 5-6, 7-8, 9-10 për të gjithë nxënësit e shkollës në Provimet e Lirimit dhe Maturës krahasuar me përfundimet vjetore.
-Mesatarja e notës në lëndët përkatëse në Provimet e Lirimit dhe  Maturës dhe renditja në nivel rajonal.
-Numri i projekteve që shkolla fiton  në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.
-Numri i fituesve të shkollës në konkurrimin që shpall MAS-i.
-Numri i fituesve të shkollës në konkurrimin që shpall DAR/ ZA-ja.
-Përqindja e nxënësve fitues në tri preferencat e para në konkurrimin për studimet universitare.
-Përqindja e orëve të munguara nga mësuesi, kundrejt të gjitha  orëve mësimore të një viti shkollor.
-Shkalla e pjesëmarrjes së nxënësve në veprimtaritë e zhvilluara nga shkolla (pyetësor me nxënësit).
-Përqindja e orëve të munguara nga  nxënësit.
-Përqindja e nxënësve të larguar nga shkolla, kundrejt nxënësve të regjistruar në fillim të vitit shkollor.
-Përqindja e nxënësve të cilët kanë marrë masë disiplinore.
-Rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimit në 5 vitet e fundit.


Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)