Rusia prej katër ditësh po sulmon Ukrainën, ndërsa palët sot kanë rënë dakord që të diskutojnë nesër. Përveç sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, tashmë pas UEFA-s, edhe FIFA ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë.

Mësohet se çdo ndeshje futbolli që mund të zhvillohet në territorin e Rusisë është anuluar. Asnjë aktivitet ndërkombëtar që mund të zhvillohet në territorin e saj, nuk do të lejohet.

Anëtari i Federatës së Futbollit që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo kompeticion nën emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë” dhe jo Rusia.

Gjithashtu as flamuri i Rusisë dhe as himni i këtij vendi nuk do të këndohet në asnjë ndeshje futbolli ku marrin pjesë ekipe nga Unioni i Futbollit të Rusisë.

FIFA do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA-n dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga të gjitha garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet sa më shpejt.

Kujtojmë se më herët UEFA mori vendimin për të zhvendosur finalen e Ligës së Kampionëve 2022 nga Shën Petërsburgu, në një vend tjetër.

Në ditën e katërt të luftimeve, Ukraina ka rënë dakord për zhvillimin e bisedimeve me Rusinë në Bjellorusi në Pripyat një qytet i braktisur, pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi. Bisedimet Ukrainë-Rusi zhvillohen të hënën në mëngjes, tha Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin.