TIRANË - UEFA jep alarmin se në Shqipëri grupet mafioze prej kohësh po investojnë në futbollin shqiptar për pastrimin e parave. Një përfaqësues i UEFA-s është takuar sot me përfaqësues të prokurorisë së përgjithshme, ku është kërkuar fillimi i hetimit për procesin e trukimit të ndeshjeve në vendin tonë, e vecanërisht në investimet e bëra për klubet e futbollit.

UEFA përfaqësohej nga Pierre Cornu, i cili shoqërohej dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.
Përfaqësuesi i UEFA u prit nga  Sokol Stojani, Drejtor i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, . Shkëlqim Hajdari, drejtues i Prokurorisë së Apelit Tiranë dhe kryetar i Shoqatës së Prokurorëve dhe  Pandi Madhi, Sekretar i Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas deklaratës zyrtare të organit qëndror të akuzës, në këtë takim, i cili ishte me kërkesë të përfaqësueve të UEFA-s, u diskutua rreth shqetësimeve dhe dyshimeve për mundësitë e trukimit të ndeshjeve si dhe vendosja e kontakteve të bashkëpunimit në këtë drejtim.

 Cornu informoi se UEFA ka vendosur një sistem për deduktimin e të dhënave nga vende të ndryshme mbi rezultatet e ndeshjeve, çka përbën një indicie mbi të cilën mund të hetohet mbi mundësitë e ndeshjeve me rezultat të fiksuar. Ndaj në këtë kuadër, përfaqësuesi i UEFA-s, kërkoi mbështetjen e Prokurorisë Shqiptare si dhe përfshirjen e strukturave të tjera shtetërore për ta vlerësuar seriozisht këtë shqetësim.

Nga ana e përfaqësuesve të Prokurorisë Shqiptare, u theksua se nga ana e institucionit të akuzës do të ketë mbështetje të plotë dhe bashkëpunim për të luftuar këtë fenomen negativ. Në këtë aspekt, u pa me interes përdorimi i dhënave të deduktimit që përdor UEFA për trukimin e ndeshjeve, të cilat mund të shfrytëzohen për hetim.

Njëkohësisht, gjatë takimit u vlerësua edhe që të shihet mundësia për profilizimin e oficerëve të veçantë të policisë gjyqësore nëpërmjet trajnimeve dhe edukimit për parandalimin e ndeshjeve të trukuara.



Burime pranë takimit thanë për Shqiptarja.com se përfaqësuesit e futbollit europian kanë paraqitur të dhëna, sipas të cilave grupe mafioze e kriminale prej kohësh kanë investuar shuma të mëdha parash në klubet e futbollit me synim pastrimin e tyre.
Sipas burimeve, UEFA ka vlersuar nismën e prokurorëve, mes të cilëve të Shkëlqim Hajdarit për hetimin e trukimeve në futbollin shqiptar. Bazuar mbi këtë ligj, përfaqësuesit e UEFA-s kanë kërkuar që të hetohet financimi i klubeve shqiptare dhe burimi i të ardhurave të tyre.

Nga ana e prokurisë së përgjithshme, në takim është publikuar një rast, i cili është konstatuar në rradhët e presidentëve të klubeve të futbollit për trukim ndeshje, duke vijuar edhe procedimin penal të tij. Prokuroria ka kërkuar nga Federata Shqiptare e fubtollit që të sjellë çdo informacin që ajo ka lidhur shitblerjen e ndeshjeve të futbollit.


(eq/aq/shqiptarja.com)