UEFA nis hetimin për serbët dhe
kuqezinjtë...por harron dhunën!!!

UEFA nis hetimin për serbët dhe<br />kuqezinjtë...por harron dhunën!!!
ZYRIH - Qeveria e futbollit evropian, UEFA nisi zyrtarisht një hetim të gjerë për përleshjen e regjistruar në stadiumin e “Partizanit” në Beograd në ndeshjen Serbi-Shqipëri, e vlefshme për kampionatin Europian të 2016-ës që do të zhvillohet në Francë.
 
Hetimi do të përfshijë të dyja Federatat e futbollit, si atë shqiptare dhe atë serbe, por akuzat që rëndojnë mbi to janë të ndryshme. Federata Serbe akuzohet për hedhjen e fishekzjarrëve në fushë, përdorimin e lazerave, pushtimin e fushës nga tifozët, shqetësimin e turmave dhe mosmarrjen e masave të nevojshme për zhvillimin normal të ndeshjes. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të hetohet për refuzimin për t’u kthyer në fushën e lojës dhe paraqitjen e një flamuri të paligjshëm. Ajo çka bie në sy është fakti që në asnjë moment UEFA nuk përmend fjalën dhunë, atë që u ushtrua ndaj lojtarëve tanë nga ana e huliganëve serbë në mesin e fushës së blertë të Beogradit.

....
Sfida u ndërpre në minutën e 41 për shkak të hedhjes së fishekzjarrëve në fushë, teksa më pas gjendja agravoi edhe me valëvitjen e flamurit me shqiponjën kuqezi dhe hartën etnike shqiptare mbi Beograd. Dhuna masive e ushtruar nga tifozët dhe personali i sigurisë së Serbisë në stadium bëri që FSHF të mos humbiste asnjë minutë kohë duke depozituar pranë Komisionit të Disiplinës së UEFA-s raportin për gjithçka ndodhi, të njëjtën gjë bëri edhe FSF, por ajo që të merret më shumë për bazë është relacioni i gjyqtarëve të ndeshjes. FSHF ka vendosur në dispozicion të gjitha pamjet filmike që deri tani kanë bërë xhiron e botës, ndërsa FSF shkruan se cdo gjë erdhi si pasojë e provokimeve të shqiptarëve me flamurin. Kjo ka bërë që UEFA, organizmi më i lartë i futbollit Evropian të nisë hetimet. Serbët akuzohen për hedhjen e sendeve të forta, fishekzjarrëve dhe objekteve të tjera të rrezikshme në fushë, trazira në shkallët e stadiumit, hyrje e tifozëve në fushë, mosmarrjen e masave të nevojshme për zhvillimin normal të ndeshjes dhe drejtim lazerash ndaj futbollistëve kundërshtarë, por fjala dhunë mungon. Shqipëria do të hetohet për refuzimin e vazhdimit të lojës dhe shfaqjen e flamurit të paligjshëm në stadium. Ndeshja në Beograd u braktis pas kaosit për shkak të një droni të telekomanduar, i cili shfaqi një flamur të Shqipërisë së Madhe në fushën e lojës, duke nxitur kështu një përleshje mes lojtarëve dhe dhjetëra tifozëve.

UEFA “harron” dhunën 
Ajo që bie në sy në akuzat e ngritura nga UEFA për incidentet në fushën e lojës në Beograd është fakti që organizmi më i lartë i futbollit Evropian nuk e përmend asnjëherë fjalën dhunë. Mungon akuza për përdorimin e gjesteve, objekteve apo mjeteve të tjera që transmetojnë mesazh jo të denjë për futbollin dhe sidomos mesazhe politike, ideologjike, besimi, ofenduese. Në akuzë harrohet djegia e flamurit shqiptar, të NATO-s apo dhe posterat me Vojislav Seshelj, kriminel lufte. Edhe pse pamjet tmerruese bënë xhiron botës me foto dhe video të dhunës ndaj Xhakës, Balës, Lilës, Mavrajt, Canës dhe pjesës tjetër të ekipit. Shqipëria akuzohet për refuzimin e vazhdimit të lojës, lojtarët e goditur fizikisht e psikologjikisht, duhet të futeshin në fushë, mbase dhe të vriteshin, ndoshta sipas UEFA-s. Akuzat e ngritura nga UEFA nëse janë bazuar te relacioni i gjyqtarëve, atëherë do të thotë se arbitri anglez Akniston dhe pjesa e tjetër, përfshirë delegatin nuk e kanë shënuar që futbollistët shqiptarë dhe tifozët u përleshën, madje u goditën me karrige dhe sende të tjera. Gjyqtari Martin Atkinson urdhëroi menjëherë lojtarët të dilnin nga fusha, pas incidentit, i cili ndodhi në fund të pjesës së parë, teksa u drejtuan për në tunelin e dhomave të zhveshjes, ata sërish u sulmuan me sende të forta. Pas rikthimit të rendit lojtarët e Shqipërisë refuzuan të ktheheshin në fushë, duke mos lënë asnjë alternativë veç anulimit të ndeshjes. Mesa duket lobi serb ka një ndikim të fuqishëm edhe në devijimin e akuzave, megjithatë gjithçka më qartë do të mësohet më datë 23 Tetor.

Akuzat për Serbinë

1. Hodhi sende në fushë
2. Trazira në stadium 
3. Hyrje e tifozëve në fushë
4. Dështim në organizim
5. Lazera ndaj shqiptarëve

Akuzat për Shqipërinë

1. Refuzoi të vazhdojë lojën
2. Simboli kombëtar në stadium


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Sulmet izraelite në Gaza dhe Liban, të paktën 34 të vdekur! UNIFIL thotë se do i mbajë pozicionet në Lindjen e Mesme

Lufta/ Sulmet izraelite në Gaza dhe Liban, të paktën 34 të vdekur! UNIFIL thotë se do i mbajë pozicionet në Lindjen e Mesme