Eliminimi i Atletico Madrid nga Champions League shkaktoi polemika për shkak se erdhi nga një episod që nxiti reagim te tifozët, kjo për një rregull që edhe UEFA thotë se do e rishikojnë.

Sulmuesi Julian Alvarez shënoi nga penalltia pas shtesave, por në pamjet e përsëritura duket që ai e ka prekur topin dy herë (me të dyja këmbët), para se sfera t'i drejtohej rrjetës.

Në lidhje me anulimin e golit nga VAR ka reaguar edhe UEFA, që thotë se paçka se minimale, prekja e dyfishtë ndodhi dhe do ketë një rishikim të këtij rregulli.

"Atletico Madrid ka kërkuar informacion nga UEFA në lidhje me situatën që çoi në moslejimin e goditjes së penalltisë nga Julian Alvarez në fund të ndeshjes së Champions League, siç tregohet në videon e bashkangjitur sipas rregullit aktual (Ligjet e lojës, Ligji 14.1), VAR-i duhej të thërriste arbitrin për të sinjalizuar se goli duhet të anulohet dhe do të nisë diskutimet me FIFA-n dhe IFAB për të përcaktuar nëse rregulli duhet të rishikohet në rastet kur një prekje e dyfishtë është qartësisht e pavullnetshme.

Prandaj UEFA deklaron se është e gatshme të vlerësojë përsëritjen e mundshme të një penalltie në rast të një prekjeje të dyfishtë në vend që thjesht të anulojë goditjen", thuhet në reagimin e UEFA-s.

Për këtë rast reagoi edhe arbitri i takimit, Szymon Marciniak, me polakun që thotë se ishte ai që sinjalizoi gjyqtarët e VAR se kishte mundësi për një prekje të dyfishtë.

"Isha unë ai që i informova gjyqtarët e VAR-it se kishte 99% mundësi që Alvarez të kishte bërë një prekje të dyfishtë dhe ata e ekzaminuan atë me kujdes. Të jem i sinqertë, nuk jam përballur kurrë me një situatë të tillë në karrierën time të arbitrit, por lojtarët i dinë rregullat.

Megjithatë, këto rregulla mund të ndryshojnë së shpejti pasi UEFA lëshoi ​​një deklaratë dje për të shpjeguar se vendimi i marrë ishte i saktë dhe në të njëjtën deklaratë njoftoi se do të nisë diskutimet me FIFA dhe IFAB për të përcaktuar nëse rregulli duhet të rishikohet në rastet kur një prekje e dyfishtë është qartësisht e pavullnetshme", tha arbitri.

Fakt është se Real Madridi kaloi më tej, ndërsa si gjithmonë sfida kundër Atl. Madrid nuk u mbyll pa polemika, paçka se në këtë rast edhe vetë sulmuesi është koshient për prekjen e dyfishtë të pavullnetshme.