Vllaznia dhe Apolonia e vajzave në futboll e kanë mbyllur aventurën evropiane që në turin e dytë në Ligës së Kampioneve. Të dyja ekipet shqiptare u mposhtën në ndeshjet e zhvilluara të mërkurën.
Shkodranet u mundën me rezultatin 1-2 nga Spartak Myjava në sfidën e zhvilluar në Qipro. Skuadra sllovake kaloi në avantazh në minutën e 42-të, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1. Spartak Myjava realizoi edhe golin e dytë në minutën e 68-të duke marrë kontrollin e sfidës.
Vllaznia reagoi në minutën e 74-t me kapitenen Megi Doçi, e cila shënoi me një goditje të fuqishme nga distanca, e devijuar nga portierja, që e dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, shkodranet nuk arritën të gjenin golin e barazimit deri në fund.
Pas këtij rezultati, Vllaznia do të luajë më 8 gusht ndaj Apollon Limassol, në ndeshjen e fundit të këtij raundi.
Në Biella të Italisë, suedezet e Hammarby fituan 4-0 kundër Apolonisë. Fieraket nuk arritën të siguronin një vend në finalen e grupit, pasi kundërshtaret zhbllokuan sfidën në minutën e 41-të dhe dyfishuan avantazhin në fundin e pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, skuadra suedeze shënoi edhe dy herë të tjera, duke vulosur fitoren 4-0. Apolonia do të rikthehet në fushë më 8 gusht dhe do të përballet me humbësen e çiftit Juventus - Torreense, në ndeshjen e vlefshme për renditjen përfundimtare të këtij raundi.









Komente
Komento