MOSKE- Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, në një intervistë për “Russia Today” tha se SHBA janë përgjegjëse për gjendjen aktuale në Ukrainë pasi sipas tij janë ata që po e nxisin situatën.

Sipas Lavrov, është mëse e qartë se qeveria ukrainase ka rifilluar operacionin anti-terror ndaj protestuesve pro-rusë, që pas vizitës së zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.

“Nuk ka asnjë dyshim se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që po e nxisin tensionin në Ukrainë.” tha Lavrov për “RT”

Duke vazhduar më tej Lavrov tha se do t’i përgjigjen çdo cënimi të të drejtave të rusëve, në përputhje siç tha ai me të drejtat ndërkombëtare. Ministri rus e krahasoi gjendjen aktuale në Ukrainë me Osetinën jugore, kur sulmet e trupave gjeorgjiane shkaktuan një konflikt në shkallë të gjerë me Gjeorgjinë në vitin 2008.

Ndërkohë më herët SHBA kërkoi që Moska të dalë publikisht dhe tu bëjë thirrje personave të armatosur pro-rusë për të dorëzuar armët dhe të largohen nga ndërtesat publike që kanë zaptuar. Po ashtu në thirrjen e bërë nga SHBA i kërkohet gjithashtu Rusisë të zbusin retorikën agresive ose do të përballen me sanksione të mëtejshme.

Në muajin e fundit, militantët pro-rusë kanë pushtuar disa qytete në rajonin lindor. Ata kanë zënë ndërtesat publike, ndërsa kanë kërkuar publikisht mbajtjen e një referendumi për ndarjen nga Ukraina, e ngjashme me rastin e Krimesë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)