Ukraina dhe Irani, ndër temat kryesore në Festivalin e Filmit në Berlin

Ukraina dhe Irani, ndër temat kryesore në Festivalin e Filmit në Berlin

Njerëzit ecin përpara logos së festivalit të filmit në Berlin

Dokumentari i regjisorit Sean Penn për portretin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, i filmuar ndërsa Rusia filloi sulmin kundër Ukrainës një vit më parë, do të jetë ndër titujt kryesorë në Festivalin e Filmit në Berlin, që fillon javën e ardhshme. Në mesin e 18 filmave që do të shfaqen në festival do të ketë edhe disa dokumentarë për protestat në Iran. Në festivalin ndërkombëtar të filmit, regjisori i njohur Steven Spielberg pritet të marrë një çmim për arritjet në karrierën e tij në industrinë e filmit.

Gjatë shpalljes së listës së filmave që do të shfaqen në Festivalin e Filmit në Berlin, drejtori artistik i festivalit, Carlo Chatrian tha se regjisorët Sean Penn dhe Aaron Kaufmann ndodheshin në Kiev për të filmuar dokumentarin "Superfuqi", kur tanket ruse kaluan kufirin e Ukrainës, duke filluar konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

I vendosur në pjesën e Berlinit Perëndimor në vijën e parë të Luftës së Ftohtë, Berlinale e sheh veten si një festival politik dhe zoti Chatrian thotë se edicioni i 73-të i Festivalit të Filmit në Berlin do të nxjerrë në pah luftërat për liri në Ukrainë dhe Iran, duke shfaqur dhjetëra filma për këto dy vende.

"Kemi filma të xhiruar në Ukrainë dhe filma që trajtojnë atë që po ndodh në Iran. Por ajo që më pëlqen më shumë është se këta filma përpiqen të bëjnë diçka ndryshe. Përmes këtyre filmave regjisorët po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin tonë për këto çështje dhe ofrojnë një pasqyrim të ngjarjeve nga një këndvështrim shumë personal”, thotë ai.

Kompanitë e filmit që mbështeten nga qeveria iraniane dhe ajo ruse nuk do të jenë pjesë e Tregut Evropian të Filmit, thotë zoti Chatrian, duke shtuar se kërkesat e gazetarëve nga këto vende do të shqyrtohen në mënyrë individuale.

"Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se disa regjisorë, filmat e të cilëve do të shfaqen në festival, kanë rrezikuar jetën e tyre për të prodhuar filmat e tyre dhe ne nuk do t'i vëmë ata në rrezik", tha ai.

Drejtori i Festivalit të Filmit në Berlin thotë se 18 filmat që konkurrojnë për çmime do të kenë tema të larmishme nga filmi i regjisores Emily Atef "Një ditë do t'i tregojmë gjithçka njëri-tjetrit" rreth rrezikut të dashurisë së dhunshme mes adoleshentëve, deri tek "Disko Boy" i regjisorit Giacomo Abbruzzese, rreth një bjellorusi që i bashkohet Legjionit të Huaj Francez.

Konkursi do të krijojë hapësirë edhe për filmat vizatimorë, si "Suzume" të regjisorit japonez Makoto Shinkai, të cilin zoti Chatrian e quajit "poet të rinisë". Filmi mbi arkipelagun japonez shquhet për ngjyrat e shndritshme.

Festivali i Filmit në Berlin, që mbahet në një nga qendrat botërore të kulturës për komunitetin LGBTQ, do të vazhdojë të ketë në plan të parë çështjet e gjinisë dhe identitetit që kanë preokupuar vitet e fundit juritë e saj. Këtë vit kryetare e jurisë do të jetë aktorja amerikane Kristen Stewart.

Pas dy vitesh me edicione të kufizuara për shkak të pandemisë së koronavirusit, festivali do të mbahet sërish si një ngjarje me kapacitet të plotë dhe pa masa kufizuese./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave