Ukraina dhe shtetet baltike paralajmërojnë se do bojkotojnë takimin e OSBE-së për shkak të Lavrovit

Ukraina dhe shtetet baltike paralajmërojnë se do bojkotojnë takimin e OSBE-së për shkak të Lavrovit

Përgatitjet për takimin e Këshillit të Ministrave të OSBE-së në Shkup

Ukraina dhe tri shtetet baltike kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë takimin e Këshillit të Ministrave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas ftesës për ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se planifikon të marrë pjesë në të.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, "do të bojkotojë takimin ministror të OSBE-së pas vendimit për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrovit", tha për AFP-në zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të fluturuar mbi Bullgari, raportoi Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë.

Sipas tij, vendimi u mor pas kërkesës së Maqedonisë së Veriut - vendit që aktualisht ushtron detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Leja është e përkohshme dhe e vlefshme vetëm për këtë fluturim.

Sipas njoftimit, autorizimi për Lavrovin bie nën përjashtimin e regjimit të sanksioneve të BE-së kundër tij dhe “nuk vlen për anëtarët e delegacionit të tij, të cilët janë gjithashtu të sanksionuar me ligjin aktual të BE-së”.

Shtetet baltike nuk do të marrin pjesë në takimin e OSBE-së

Shtetet baltike e kanë ndjekur shembullin e Ukrainës për të mos marrë pjesë në takimin e OSBE-së në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të Lavrovit.

Estonia, Letonia dhe Lituania thanë të martën se diplomatët e tyre të lartë nuk do të marrin pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave pas vendimit për ta lejuar pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve baltike thanë se pjesëmarrja e planifikuar e Lavrov "rrezikon ta legjitimojë Rusinë agresore si një anëtare të drejtë të komunitetit tonë të kombeve të lira", duke shtuar se ata "vendosën të mos marrin pjesë" në takimin në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

"Pjesëmarrja e Lavrov i bën të parëndësishme krimet mizore që Rusia po vazhdon t’i kryejë," tha ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

"Vendi i Lavrov është në një gjykatë speciale, jo në tryezën e OSBE-së", shtoi ai, duke shpjeguar vendimin e përbashkët të shteteve baltike për të anashkaluar takimin.

Vitin e kaluar, Polonia mikpritëse e OSBE-së refuzoi të linte Lavrov të merrte pjesë, vendim ky i cili kishte shkaktuar zemërimin e Rusisë. Më herët, Komisioni Evropian tha se Lavrov mund të udhëtojë në BE dhe në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se është i sanksionuar.

Këshilli i Ministrave të OSBE-së pritet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor, 2023. Mbi 70 delegacione të vendeve anëtare dhe partnere të OSBE-së pritet të arrijnë në Shkup për takimin e kësaj jave.

Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSBE-së.

Prej se shteti rus ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, shumica e vendeve në Evropë - përfshirë Bullgarinë - kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, duke shprehur solidaritet me Ukrainën.

Në qershor të vitit të kaluar, vizita e Lavrovit në Serbi u anulua, sepse vendet e saj fqinje - Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi - ndaluan fluturimin e avionit të tij në hapësirën e tyre ajrore./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit