Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sulme raketore dhe me dronë të enjten. Të dyja palët kanë raportuar për të vrarë dhe të plagosur në mesin e civilëve nga këto sulme.
Ukraina lëshoi sirenat për të paralajmëruar për sulme ajrore, pasi ishin vërejtur avionët luftarakë rus, MiG-31, të cilët ishin ngritur nga fushat ajrore ushtarake brenda Rusisë.
Oleh Synyehubov, guvernatori i rajonit lindor të Ukrainës, Harkiv, tha se numri i të vrarëve gjatë sulmeve raketore ruse gjatë natës në fshatin Veliki Burluk në afërsi të kufirit me Rusinë, është ngritur në pesë, pasi u nxor trupi i një gruaje 27-vjeçare nga rrënojat.

“Deri tani, pesë civilë janë vrarë – tri gra të moshës 74, 54 dhe 27 vjeçe, si dhe dy burra të moshës 41 dhe 53 vjeçe”, shkroi Synyehubov në Telegram.
Autoritetet lokale thanë se Rusia i goditi dy ndërtesa banimi me raketa S-300.
Mbrojtja Ajrore e ushtrisë ukrainase raportoi se i ka rrëzuar 13 nga 26 raketat e shkrepura nga Rusia në valën e fundit të sulmeve ajrore të enjten.
Ndërkohë, mediat ruse raportuan se raketat ukrainase e goditën një qendër tregtare në qytetin perëndimor, Belgorod, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit të Belegorodit, tha se së paku pesë njerëz u vranë dhe se u shkaktuan dëme të mëdha.
“Sipas të dhënave të para, pesë njerëz u vranë në Belgorod, përfshirë një fëmijë, ndërsa u plagosën 18 të tjerë, prej të cilëve pesë fëmijë”, shkroi Gladkov në Telegram.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj ajrore i rrëzuan 14 raketa ukrainase mbi rajonin e Belegorodit. Ministria nuk përmendi viktima apo dëme.
Ukraina nuk ka komentuar rreth pretendimeve ruse, të cilat nuk ka qenë e mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur./Rel
Komente

