Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha se Rusia kishte injoruar kërkesat zyrtare për të shpjeguar rritjen e numrit të trupave në kufi. Ai tha se "hapi tjetër" ishte të kërkohej një takim brenda 48 orëve të ardhshme për "transparencë" në lidhje me planet e Rusisë.

Rusia ka mohuar çdo plan për të pushtuar Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i rreth 100,000 ushtarëve në kufijtë e Ukrainës.

Kuleba tha se Ukraina kishte kërkuar, të premten, përgjigje nga Rusia sipas rregullave të Dokumentit të Vjenës, një marrëveshje për çështjet e sigurisë të miratuar nga anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila përfshin Rusinë.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për pandashmërinë e sigurisë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha ai.

Disa vende perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për një pushtim, SHBA-të thonë se mund të fillojë me bombardime ajrore "në çdo kohë".

Më shumë se një duzinë kombe u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina dhe disa kanë tërhequr stafin e ambasadës nga Kievi, përfshirë SHBA-në.