Parlamenti i Ukrainës po shqyrton një projektligj që do të dekriminalizonte prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve pornografike mes të rriturve, ndërsa të ardhurat nga taksat do të përdoreshin për financimin e mbrojtjes së vendit.
Aktualisht, prodhimi, shpërndarja dhe posedimi i pornografisë janë vepra penale në Ukrainë dhe dënohen deri me shtatë vjet burg. Megjithatë, sipas Wall Street Journal, industria funksionon prej vitesh në një zonë gri, ku një pjesë e krijuesve të përmbajtjes punojnë nga jashtë vendit, ndërsa të tjerë vazhdojnë aktivitetin në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Fenix International, kompania që zotëron platformën OnlyFans, rreth 7.900 ukrainas fituan më shumë se 112 milionë euro, ose rreth 131 milionë dollarë, nga aktiviteti në këtë platformë gjatë vitit 2023 .
Pas nisjes së luftës, autoritetet ukrainase nisën t'u kërkonin këtyre personave të paguanin taksa. Por, sipas legjislacionit aktual, deklarimi i të ardhurave nënkupton edhe pranimin e ushtrimit të një aktiviteti që konsiderohet i paligjshëm, duke i ekspozuar ata ndaj ndjekjes penale.
Një nga rastet më të njohura është ai i Svitlana Dvornikovës, e cila jeton pranë vijës së frontit dhe udhëton në Francë ose Spanjë për të realizuar përmbajtjet e saj për OnlyFans. Ajo deklaroi se gjatë një kontrolli autoritetet i sekuestruan laptopin, të gjitha të dhënat dhe rreth 172 mijë euro, para që, sipas saj, ishin lënë mënjanë për pagesën e taksave. Dvornikova tha gjithashtu se refuzoi një ofertë për ryshfet.
Më pas ajo publikoi një peticion në faqen zyrtare të presidentit Volodimir Zelenski, ku e cilësoi veten "një tatimpaguese të ndërgjegjshme" dhe shkroi se qeveria, në vend që ta trajtonte si kriminele, "duhet të ishte mirënjohëse për gati 900 mijë dollarët taksa që kam paguar, të cilat vlejnë sa qindra rusë të vrarë në front." Peticioni mblodhi mbi 25 mijë firma brenda shtatë ditësh.
Avokatja tatimore Lesia Mikalenko, e cila ka përfaqësuar më shumë se 100 modele të OnlyFans, e cilësoi situatën "një krim pa viktima".
"Kjo ngarkon pa nevojë sistemin ligjor në një kohë kur duhet të jemi të përqendruar te mbrojtja e vendit," tha ajo.
Pas kësaj nisme, deputeti i opozitës Jaroslav Zhelezniak paraqiti në Parlament projektligjin për dekriminalizimin e kësaj industrie. Sipas tij, taksat nga ky aktivitet do t'i sillnin shtetit rreth 25 milionë dollarë në vit.
"Këto gra ose nuk paguajnë taksa dhe përballen me akuza për këtë, ose paguajnë taksa dhe akuzohen për shkeljen e ligjit për pornografinë. Është një situatë tragjikomike," tha ai.
Projektligji kaloi leximin e parë në korrik me 231 vota pro, tetë kundër dhe tre abstenime. Tashmë pritet shqyrtimi i dytë në Parlament. Sipas propozimit, do të dekriminalizohet përmbajtja pornografike mes të rriturve, ndërsa do të ashpërsohen dënimet për pornografinë me të mitur.










Komente
Komento