Shumë ukrainas shohin ngjashmëri të madhe mes sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj civilëve izraelitë dhe agresionit rus kundër Ukrainës që filloi vitin e kaluar. Mes frikës se lufta mes Izraelit dhe Hamasit do të largojë vëmendjen e botës nga vuajtjet e tyre, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, udhëheqësit dhe politikanët e komunitetit hebre të Ukrainës shpresojnë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë si Izraelin edhe Ukrainën.
Në një nga sinagogat më të vjetra në qendër të Kievit, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare mblidhen për të ngrënë darkë së bashku. Në tryezë ata diskutojnë për sfidat e luftës.
Duke qenë në vijën e parë të luftës që nga fillimi i agresionit rus, ata shohin shumë paralele midis luftës së tyre dhe sulmit të fundit ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit.
Rabini David Milman u shpjegon kolegëve të tij origjinën e konfliktit Izrael-Hamas. Ai thotë se u trondit nga sulmi.
“Së pari, u tmerrova. Fëmijët dhe nipërit e mi janë atje. Nuk mund ta kuptoja se si ishte e mundur kjo. Ne prisnim diçka të tillë nga Hezbollahu, Irani - por jo Hamasi. Krahasuar me Hezbollahun dhe Iranin, ata janë thjesht hajdutë xhepash. Shërbimet e zbulimit nuk u kushtuan vëmendjen e duhura”, thotë David Milman, rabin në ushtrinë ukrainase.
Rabini Milman vlerëson se sulmi rus në Ukrainë dhe ai i Hamasit ndaj Izraelit ndoqën të njëjtin skenar. Ai thotë se Hamasi nuk mund ta kishte kryer sulmin pa ndihmë nga jashtë. Ai dyshon për Rusinë, megjithëse, thotë ai, nuk ka prova.
Rabini Milman tregon se ku ulet Presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe ambasadori izraelit, në rreshtin e parë kur vijnë në sinagogë. Rabini ka dy atdhe, Ukrainën dhe Izraelin, dhe ai mendon se të dyja vendet kanë nevojë për mbështetje për të luftuar agresionin.
Ihor Semyvolos, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Studimeve të Lindjes së Mesme të Ukrainës, thotë se të dyja luftërat përfshijnë armiq të demokracisë.
“Në nivelin strategjik, nuk ka dyshim se Rusia dhe Irani janë të përfshirë, dhe duke qenë se Irani dhe Rusia janë armiqtë tanë, nuk mund të mos ndikojë në konfliktin tonë. Sipas Presidentit Biden, kjo është pjesë e konfrontimit botëror midis demokracive dhe autokracive dhe ne e ndiejmë efektin e tij në Ukrainë”, thotë zoti Semyvolos.
Ivanna Klympush-Tsintsadze, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin e Ukrainës në BE, thotë se “shumë ukrainas e shohin sulmin ndaj Izraelit si pjesë të së njëjtës luftë që po bën Ukraina”. Ajo mbështet qasjen e Presidentit Biden për të kombinuar një paketë ndihme për Ukrainën dhe Izraelin.
“Me sa kuptoj unë, duke marrë parasysh zhvillimet në politikën e brendshme amerikane tani, kjo është një qasje shumë e zgjuar për t'i shpjeguar publikut amerikan se çfarë duhet të bëjë populli amerikan, në mbështetje të Izraelit dhe Ukrainës”, thotë zonja Klympush-Tsintsadze.
Ukraina ka rëndësi të madhe për shumë hebrenj. Udhëheqësit e kaluar izraelitë Golda Meir dhe Ariel Sharon kishin rrënjë në Ukrainë dhe Rabini Milman thotë se shumë figura fetare hebreje janë varrosur në Ukraini. Ai thotë se lutet çdo ditë që të dyja vendet të mbështeten në luftën e tyre për mbijetesë./ VOA
Komento