Bombardime në qendër të Kievit! Zelensky: Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do bëhet me referendum! Biden një orë bisedë telefonike me liderët e BE-së

UKRAINË- Ukraina ka hedhur poshtë ultimatumin e Rusisë për të hequr dorë nga qyteti i Mariupolit. Deri në orën 03:00 të 21 marsit, Rusia i kishte lënë afat Kievit që të kthente një përgjigje zyrtare për atë që quante armëpushim, por në fakt ishte një dorëzim i Mariupolit. Nëse Kievi do të thoshte "po" atëherë nga ora 07:30-09:30 qytetarët që ndodheshin në qytet port do duhet të ulnin armët dhe të largoheshin nga vendi, por kjo "ofertë" e tyre u refuzua kategorikisht. Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vijon të këmbëngul në negociata me Rusinë, duke thënë se Jerusalemi do të ishte "vendi i duhur për të gjetur paqen".

 “Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, po përpiqet të gjejë një mënyrë për të negociuar me Rusinë dhe ne i jemi mirënjohës atij. Jerusalemi është vendi i duhur për të gjetur paqen. Nëse është e mundur", tha Zelensky, teksa edhe Zvicra është gati të presë bisedimet midis dy palëve.

Raundi i ri i bisedimeve pritet të zhvillohet sot, por online, siç është bërë dhe më herët. Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian janë takuar të hënën, 21 mars në Bruksel për të diskutuar për më shumë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Polonia dhe vendet e Baltikut janë duke shtyrë përpara sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë importin në naftën dhe gazin rus.

Gjithashtu media amerikane raportojnë se Ministria e Jashtme ruse ka thërritur ambasadorin e SHBA-së John Sullivan dhe i dorëzoi atij një notë proteste kundër komenteve të Joe Biden për presidentin rus Vladimir Putin të cilat i ka cilësuar si të 'pa pranueshme'. Biden gjatë deklaratave të tij e ka cilësuar Putinin si "kriminel lufte" dhe "diktator vrasës".  

Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë Poloninë më 25 mars, pas samitit të NATO-s në Bruksel dhe Këshillit Evropian për Ukrainën. Kështu bëhet e ditur në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. Në Varshavë, Biden do të ketë një takim dypalësh me presidentin polak Andrej Duda. Teksa në orën 16:00 do të ketë një komunikim mes tij, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministrit italian Mario Draghi dhe kryeministrit britanik Boris Johnson.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:59
Media pro Kremlinit publikon numrin e ushtarëve të vrarë rusë, por më pas e fshin artikullin

Gazeta pro Kremlinit, Komsomolskaya Pravda (KP), ka publikuar një artikull në të cilin e ka cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes që ka thënë se 9,861 ushtarë rusë kanë vdekur gjatë luftës në Ukrainë. Ndërkaq, numri i të plagosurve u tha se ishte 16,153.

Disa minuta më vonë, ky artikull është fshirë nga ueb-faqja e kësaj media. Ndërkaq, redaktori i Komsomolskaya Pravda, i tha BBC-së se ky informacion i postuar në ueb-faqen e këtij mediumi, ishte rezultat i një hakimi dhe tha se gazeta do të publikonte një shpjegim më vonë.

Pas këtij lajmi, këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhaylo Podolyak, tha përmes një postimi në Twitter se “arti i gënjeshtrave ruse më nuk kryen punë”.

“Ministria e Mbrojtjes së Rusisë zyrtarisht u detyrua të pranojë se nuk kanë vdekur 500 persona në Ukrainë, por janë vrarë 9,861”, shkroi ai.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë më 2 mars ka pranuar se janë vrarë vetëm 498 ushtarë rusë në Ukrainë.

Ndërkaq, Ukraina ka pretenduar se që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, ka vrarë afër 15,000 ushtarë rusë, ndërkaq inteligjenca perëndimore ka thënë se numri i ushtarëve rusë vlerësohet të jetë 7,000.

Ora 22:51
Zelensky përsërit thirrjen për një takim me Putin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi edhe një herë nevojën për një takim mes tij dhe presidentit rus Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje që do t'i jepte fund luftës.

“Besoj se në këtë moment pa takimin tim me Presidentin e Federatës Ruse, dhe e përsëris dhe e propozoj prej disa vitesh, besoj se pa këtë takim nuk do ta kuptoj realisht se për çfarë janë gati për ta ndalur këtë luftë”, tha Zelensky.

Ora 21:54
SHBA: Do t'i ofrojmë Ukrainës sistemet e mbrojtjes anti-raketë

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, gjatë konferencës  për shtyp tha se SHBA po punon për t'i siguruar Ukrainës saktësisht sistemet antiraketë që i nevojiten, duke përfshirë ato të prodhimit sovjetik dhe S-300.

Ora 21:37
Pentagoni akuzon Rusinë për krime lufte: Do të ndihmojmë në mbledhjen e dëshmive

Pentagoni i akuzoi forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë dhe tha se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për kryerjen e krimeve të tilla.

Më 21 mars, Pentagoni po ashtu e akuzoi Kremlinin se po kryen sulme pa dallim, si pjesë e strategjie të qëllimshme në konflikt.

“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby gjatë një konference për media.

“Por, ka procese hetimore që do të vazhdojnë dhe ne do të lejojmë që këto procese të ndodhin. Ne do të kontribuojmë në këto procese hetuese. Se çfarë do të dalë nga to, ky vendim nuk i përket udhëheqjes së Pentagonit që ta marrë”, tha ai.

Ora 20:48
BE: 500 milionë të tjera ndihmë ushtarake për Kievin

Gjatë një konference për shtyp, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ka deklaruar se do japin 500 milionë euro ndihmë shtesë për Ukrainën.  

“Jam i lumtur të njoftoj se kemi arritur një marrëveshje politike për (disbursimin) e 500 milionë eurove të tjera nga Fondi Evropian i Paqes.. mjeti bën të mundur dërgimin e armëve dhe ndihmave ushtarake pas disbursimit të parë prej 500 milionë eurosh..”, tha Borrell.

Ora 20:33
Ministri i Jashtëm ukrainas: Kina të luajë një rol të rëndësishëm në gjetjen e një zgjedhjeje me Rusinë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i kërkon Kinës të luajë një ‘rol të rëndësishëm’ në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Për dekada marrëdhëniet Ukrainë-Kinë kanë qenë të bazuara në respektin reciprok, mirëkuptimin, përfitimin. Ne i kërkojmë Pekinit për të gjetur një zgjidhje politike për luftën kundër Ukrainës dhe i kërkojmë Kinës si një fuqi globale të marrë përsipër një rol të rëndësishëm në këtë kuptim”, shkruan Kuleba.

Ora 20:26
SHBA-Kinës: Nuk keni ndërmarrë asnjë veprim për t’i dhënë fund luftës

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha në një konferencë për shtyp se Kina është vendi me ndikimin më të madh në Rusi, ndaj ajo mund të bëjë më shumë për t'i dhënë fund luftës.

“Deri më tani nuk kemi parë asgjë nga këto, kemi dëgjuar vetëm deklarata”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë konferencës për shtyp.

Ora 20:22
Zelensky i drejtohet popullit ukrainas: Bëni gjithçka për të mbrojtur shtetin tonë, luftoni

Presidenti Volodymyr Zelensky u bën thirrje të gjithë ukrainasve, të bëjnë gjithçka për të mbrojtur shtetin e tyre, për të shpëtuar njerëzit e tyre.

“Luftoni dhe ndihmoni. Ne jemi të gjithë me Ukrainën e lirë që e duam kaq shumë”.

Ora 20:02
Lirohet kryebashkiaku ukrainas në këmbim të 9 të burgosurve rusë

Tatyana Moskalkova, komisionerja ruse për të Drejtat e Njeriut, konfirmoi lirimin e 9 të burgosurve rusë nga ukrainasit ditët e fundit në këmbim të kryetarit të Melitopolit, Ivan Fyodorov. Sipas saj kjo është e ngjashme me një marrëveshja të parë të nënshkruar nga Moska dhe Kievi që nga fillimi i konfliktit pothuajse një muaj më parë. Të burgosurit u përzgjodhën nga lista që Moskalova përpiloi.

Ora 19:52
Zelensky: Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do i nënshtrohet referendumit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do t’i nënshtrohet një referendumi në Ukrainë.

Ora 19:41
Zelensky: Ukraina nuk do të përkulet para ultimatumeve të Rusisë

Ukraina kurrë nuk do të përkulet para ultimatumeve të Rusisë dhe qytetet si Kievi, Mariupoli apo Harkivi nuk do ta pranojnë okupimin rus, tha presidenti Volodymyr Zelensky për një media ukrainase.

“Ne kemi ultimatume me pika si ‘ndiqni këto pika dhe ne do t’i japim fund luftës’. Ukraina nuk mund të përmbushë këto ultimatume”, tha Zelensky në një intervistë të publikuar nga transmetuesi publik ukrainas, sipas agjencisë Reuters.

Rusia i kishte vendosur afat Ukrainës që deri në mëngjesin e ditës së sotme të dorëzohej në qytetin-port të Mariupolit – që është i rrethuar – duke thënë se civilëve dhe luftëtarëve do t’u garantohej largimi i sigurt nga ky qytet, për aq kohë sa ata të dorëzojnë armët.

Por, Ukraina injoroi këtë ultimatum, duke thënë se dorëzimi nuk është opsion.

Ora 19:24
Biden një orë bisedë telefonike me liderët e BE-së: Të bashkuar përballë një emergjence humanitare 

Kryeministri italian Mario Draghi ka zhvilluar një bisedë telefonike pasditen e sotme me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, presidentin francez, Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrin britanik Boris Johnson, në përgatitjen për samitin e NATO-s të së enjtes së ardhshme ku dhe Presidentit Biden do të jetë prezent në Këshillin e ardhshëm Evropian. Biseda zgjati përreth një orë.

Udhëheqësit riafirmuan ‘rëndësinë e unitetit të qëllimit dhe veprimit të demonstruar përballë luftës në Ukrainë dhe pasojave të saj. Përballë emergjencës serioze humanitare, udhëheqësit u zotuan të bashkërendojnë përpjekjet për të ndihmuar popullsinë ukrainase që po ikën nga konflikti ose e bllokuar në shtëpi’.

Ora 19:14
Zyrtari amerikan i mbrojtjes: Pushtimi rus ka ngecur

Pushtimi rus kryesisht ka ngecur në të gjitha linjat e tyre të avancimit, me trupat që nuk kanë lëvizur më drejt Kievit që nga java e kaluar, tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.

Rusët kanë hedhur mbi 1,100 raketa, por mund të jenë duke u përballur me “probleme të inventarit” tha zyrtari. Disa raketa kanë dështuar të lëshohen, e disa që janë lëshuar nuk kanë shpërthyer, shtoi ky zyrtar.

SHBA-ja ka thënë se e ka të pamundur të konfirmojë apo mohojë pretendimet e Rusisë se ka përdorur raketa hipersonike gjatë sulmeve në Ukrainë, tha ky zyrtar, duke shtuar se Rusisë nuk i është dashur të përdorë këso raketash, por ushtrisë së saj mund të jenë duke iu harxhuar raketat e tjera.

Zyrtari amerikan tha po ashtu se ka rritje të aktiviteteve detare në Detin e Zi, që besohet se përfshijnë edhe disa granatime në qytetin-port të Odesës.

Ora 18:58
Gazetarja që protestoi live në televizionin rus akuzohet si spiune

Gazetarja ruse e cila protestoi kundër luftës gjatë transmetimit të lajmeve në televizionin shtetëror rus është akuzuar si spiune britanike. Marina Ovsyannikova, 43 vjeç, sipas Kirill Kleimyonov, zëvendësdrejtorit dhe kreut të divizionit të lajmeve të Channel One, në një deklaratë për Sky Neës, gazetarja Ovsyannikova ka tradhtuar vendin e saj.

Gazetarja ruse Marina Ovsyannikova 'pushtoi' titujt e mediave me gjestin e saj të guximshëm, ku protestoi live në televizionin shtetëror rus kundër pushtimit të Ukrainës.

Redaktore në Channel 1 të kontrolluar nga shteti, ajo u arrestua pasi doli në ekran duke mbajtur në duar një pankartë që lexonte "jo luftë". Veprimi i kushtoi asaj një gjobë prej 257 euro, ndërsa pas daljes nga gjykata, gazetarja u shpreh se ishte marrë 14 orë në pyetje.

Gazetarja i bëri thirrje popullit rus të protestojë kundër luftës, duke thënë se vetëm ata kanë fuqinë për të "ndaluar gjithë këtë çmenduri". "Mos kini frikë nga asgjë. Ata nuk mund të na burgosin të gjithëve," tha ajo.

Ora 18:56
Lufta në Ukrainë, 3 fëmijë mbesin të bllokuar në bodrumin e shtëpisë nga sulmet ruse

Në Rubizhne të rajonit të Luhansk, rusët sulmuan një shtëpi. Sipas raportimeve të mediave lokale, në bodrumin e shtëpisë së sulmuar ndodhen 3 fëmijë. Këtë e ka bërë të ditur në Facebook Serhii Haidai, guvernatori i administratës ushtarake të rajonit të Luhanskut.

Ora 18:50
Lufta në Ukrainë, rusët rrëmbejnë kryebashkiakë dhe politikanë të tjerë

Në rajonin e Cernihiv, në qytetin Andriivka, rusët kanë rrëmbyer kryebashkiakun Mykola Budalovskyy dhe deputeten Tetyana Beslyudna. Kjo është publikuar në faqen e zyrtarit për të Drejtat Civile të Kuvendit. Edhe kryebashkiaku i Hremyach të rrethit Novgorod Siverskyy u kap gjithashtu nga rusët dhe sipas asaj që thanë qytetarët, ushtria ruse e mori me mjete ushtarake. Dy përfaqësues nga bashkia e Nova Basanit në lagjen Nizhyn u rrëmbyen gjithashtu.

Ora 17:08
Kievi: Mbi 3 mijë civilë kanë humbur jetën në Mariupol që prej fillimit të luftës

Numri i të vdekurve në mesin e civilëve në qytetin e Mariupolit ka arritur në mbi 3000 njerëz. Kështu deklaroi komandanti i detashmentit Azov, majori Denys Prokopenko për CNN.

“Numri i vdekjeve në mesin e civilëve po rritet çdo ditë dhe tani i kalon 3000 njerëz. Por askush nuk mund të thotë numrin e saktë të të vdekurve, pasi njerëzit janë varrosur në varreza masive, pa emra. Shumë kufoma mbeten të pavarrosura në rrugë. Disa njerëz janë të bllokuar nën rrënoja, të varrosur të gjallë”, tha Prokopenko.

Ora 16:55
Kreu i Dumës së Rusisë thirrje Kongresit amerikan: Shkarkoni Joe Biden

Kryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Viacheslav Volodin i ka kërkuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara që të fillojë një procedurë për shkarkimin e presidentit amerikan Joe Biden.

“Armët e dërguara në Kiev mbërrijnë në duart e batalioneve neo-naziste, si ai i Azovit. Kongresi amerikan duhet t'i japë fund standardit të dyfishtë dhe ta bëjë Biden të kuptojë se çfarë ka bërë. Nëse SHBA është një shtet kushtetues, nuk ka zgjidhje tjetër," tha Volodin në Telegram.

Ora 16:18
Moska: Komentet e Biden për Putin të papranueshme

Ministria e Jashtme ruse ka thërritur sot ambasadorin e SHBA-së John Sullivan dhe i dorëzoi atij një notë proteste kundër komenteve të Joe Biden për presidentin rus Vladimir Putin të cilat i ka cilësuar si të 'pa pranueshme'.

Biden gjatë deklaratave të tij e ka cilësuar Putinin si "kriminel lufte" dhe "diktator vrasës". Sipas Rusisë, fjalët e presidentit amerikan mund të shkaktojnë prishje të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Kjo është raportuar nga disa media amerikane, duke përfshirë dhe agjencinë Bloomberg.

Ora 16:11
Ukraina akuzon Rusinë: 2.389 fëmijë të rrëmbyer nga Donbass u depërtuan nga Moska

Ukraina akuzoi Rusinë për rrëmbimin e mijëra fëmijëve në rajonin e pushtuar të Donbasit. Sipas Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, "të paktën 2,389 fëmijë u deportuan ilegalisht në Rusi".

Ora 15:31
Gjykata e Moskës shpalli META-n ‘organizatë ekstremiste’: Facebook dhe Instagram të ndalohen menjëherë në Rusi

Gjykata e Moskës shpalli META-n “organizatë ekstremiste” dhe për këtë arsye ndaloi shërbimet e saj.

Shërbimet sekrete ruse (FSB) i kishin kërkuar autoritetit gjyqësor që të vendoste një ndalim "të menjëhershëm" të rrjeteve sociale amerikane Facebook dhe Instagram në Rusi.

"Aktivitetet e Metës janë kundër Rusisë dhe forcave të saj të armatosura. Prandaj kërkojmë që Meta të ndalohet në Rusi dhe ky ndalim të fillojë zbatimin menjëherë”, tha Igor Kovalevski në seancën e parë të gjykimit, zëdhënës i FSB-së.

Ndalimi u kërkua edhe nga prokurori i Moskës.

Ora 14:56
Këshilltari i Zelensky-t: Rusia nuk është serioze në negociatat me Kievin

1647374871_16472557781647255270bisedime.jpg

"Rusia nuk është serioze për bisedimet e paqes", tha Alexander Rodnyansky, këshilltar i presidentit ukrainas Zelensky.

Rodnyansky thotë se bisedimet kanë për qëllim të fusin në kurth Perëndimin që të mendojë se sanksionet e mëtejshme janë të panevojshme.

Ai tha se nuk po kërkohet paqja, ndaj dhe qytetet bombardohet në përmasa të mëdha në të njëjtën kohë.

Ora 14:49
I mbijetoi holokaustit, por nuk i shpëtoi predhave ruse, vritet 96-vjeçari në shtëpinë e tij në Kharkiv

Boris Romantschenko, 96 vjeç i ka mbijetuar holokaustit, por u vra në shtëpinë e tij në Kharkiv nga një sulm me raketa ruse mbi qytet.

“Boris Romantschenko i mbijetoi kampeve të përqendrimit Buchenëald, Peenemünde, Dora dhe BergenBelsen. Ai u vra të premten e kaluar në një shpërthim në shtëpinë e tij në Charkiv, Ukrainë. Ai ishte 96 vjeç. Jemi të shtangur”, thuhet në deklaratë.

Ora 14:38
‘Shpenzimi për të blerë armë, një skandal’, Papa Françesku: Të bashkohemi për të ‘luftuar’ urinë, pandemitë dhe varfërinë

Papa Francesku e ka cilësuar blerjen e armëve një skandal, duke theksuar se me ato para mund të jepeshin për njerëzit që e kanë vërtet nevojë. Ai tha se të gjitha vendet duhet të biskojnë forcën dhe burimet për të “luftuar” urinë, sëmundjet dhe varfërinë.

"Pse të bëjmë luftë me njëri-tjetrin për konfliktet që ne duhet t'i zgjidhim duke folur me njëri-tjetrin si burra? Pse të mos bashkojmë forcat dhe burimet tona për të luftuar së bashku betejat e vërteta të qytetërimit: luftën kundër urisë dhe etjes, luftën kundër sëmundjeve dhe pandemive, luftërat kundër varfërisë dhe skllavërisë. Pse? Të shpenzosh kaq shumë para për të blerë armë dhe të mos ndihmosh njerëz në nevojë, është një skandal! Është e tmerrshme sesa shumë para janë shpenzuar.”, tha Papa Françesku. 

Ora 14:29
Bisedimet mes delegacionit rus dhe ukrainas zgjatën një orë e gjysmë! Tashmë diskutojnë grupet e punës

Sipas njoftimeve të agjencisë ruse Tass, bisedimet diplomatike ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase kanë zgjatur një orë e gjysmë dhe tani po vazhdojnë në formatin e grupeve të punës.

“Takimi ka zgjatur nga ora 10.30 deri në orën 12 me delegacionet zyrtare, më pas kanë ardhur sërish grupet e punës. Sot punojmë gjithë ditën”, tha anëtari i delegacionit ukrainas David Arakhamia, cituar nga agjencia e lajmeve UNIAN.

 

Ora 14:27
Momente të frikshme, rusët hapin zjarr ndaj grupit të civilëve që po protestonin në Kherson (VIDEO)

 

Momente të frikshme kanë përjetuar disa banorë të Kherson, kur forcat ruse kanë hapur zjarr ndaj tyre.

Pamjet e videos janë regjistruar mëngjesin e sotëm nga protesta që po zhvillohej në qytet. Duket se rusët donin ta ndalonin ketë protestë, ndaj edhe qëlluan në drejtim të civilëve të cilët menjëherë vrapuan për të shpëtuar.

Ora 14:08
8 persona u vranë nga bombardimi ruse, foto si është shkatërruar qendra tregtare pas sulmit të ushtrisë Ruse

Janë publikuar pamjet pas bombardimit të qendrës tregtare në Podil, Kiev, ku humbën jetën 8 persona. Fotot tregojnë shkallën e shkatërrimit nga bombardimet ruse të qendrës tregtare.

Ora 13:57
Ministrat e BE-së diskutojnë për sanksione të reja ndaj Rusisë

Ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian janë takuar të hënën, 21 mars në Bruksel për të diskutuar për më shumë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Ministrat nga 27 vendet anëtare të bllokut evropian do të diskutojnë, edhe për ndihmën urgjente dhe bashkëpunimin ushtarak. Vendimi për sanksione të mëtejme “do të dominojë në takim dhe nuk do të jetë i lehtë”, ka thënë një diplomat i bllokut evropian para takimit.

Kjo mbledhje vjen para një morie takimesh në mes të aleatëve të Perëndimit për të diskutuar rreth Ukrainës: një samit i BE-së, një samit i NATO-s, dhe takime mes shtatë vendeve më të industrializuara (G7) më vonë gjatë javës.

Polonia dhe vendet e Baltikut janë duke shtyrë përpara sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë importin në naftën dhe gazin rus.

Megjithatë, Gjermania, e cila varet shumë nga gazi rus, dhe disa vende tjera të BE-së, janë duke rezistuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë më 21 mars se Evropa do të goditet rëndë nëse vendos embargo në naftën ruse.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Oleksiy Reznikov, pritet të njoftojë ministrat e BE-së për situatën aktuale të luftës.

Ora 12:55
Media: Ushtria ruse mori për disa orë peng 4 gazetarë në Mariupol, më pas i liroi 3 prej tyre! Njëri ende mbahet në një vend të panjohur

Sot në mëngjes, rreth orës 6 të mëngjesit, rusët morën katër gazetarë të MV Holding (Mykhailo Kumko, Yevhenia Boryan, Yulia Olkhovska dhe Lyubov Chaika) nga shtëpitë e tyre në Melitopol, aktualisht nën okupim të përkohshëm.

Siç raporton agjencia e lajmeve Ukrinform, tre reporterë më pas u liruan, ndërsa njëri është ende i ndaluar në një vend të panjohur.

Ora 12:54
I dorëzoi llogarinë e Instagramit mjekes ukrainase, David Beckham i tregon botës së çfarë po ndodh në Kharkiv

 

David Beckham vendosi që t’i jap llogarinë e Instagramit të tij një mjekeje në Ukrainë për të raportuar punën që bëjnë 24/7 nga Kharkiv.

Iryna, e cila është drejtuese e qendrës rajonale të pediatrisë dhe një anesteziste fëmijësh, postoi imazhe të qendrës në InstaStoryn e ish-futbollistit të Manchester United, Real Madrid dhe Angli, ditën e djeshme.

Pamjet tregojnë të porsalindurit duke u trajtuar në një bodrum, ku i është dashur të zhvendosen për t’i shpëtuar granatimeve.

Iryna tha se në ditën e parë të luftës, gratë shtatzëna dhe nënat u evakuuan në bodrum.

"Ishin tre orë të tmerrshme që kaluam së bashku. Fatkeqësisht, ne nuk mund t'i çojmë foshnjat që janë në kujdes intensiv në bodrum, sepse ata mbështeten në pajisje për shpëtimin e jetës," tha ajo.

 

Ora 12:38
Konsulli grek në Mariupol: Qyteti do të shkatërrohet siç ndodhi në të kaluarën në Guernica dhe Grozny

Konsulli grek në Mariupol, Manolis Androulakis, diplomati i fundit evropian që u largua nga qyteti i rrethuar nga forcat ruse të martën e kaluar, ku ndihmoi dhjetëra grekë të arratiseshin, denoncoi situatën që pa. 
"Shpresoj që askush të mos e shohë kurrë atë që kam parë", tha ai pasi mbërriti në Athinë dje, pas një udhëtimi katër-ditor nëpër Ukrainë. "Mariupol do të bëhet pjesë e qyteteve që u shkatërruan totalisht nga lufta: Guernica, Conventry, Aleppo, Grozny, Leningrad," renditi ai.
 

Ora 12:33
Frika në Mariupol, dëshmia e ukrainases: Po presim të vdesim, është çështje ditësh

Mariupoli është një nga qytetet më të sulmuara nga rusët që nga fillimi i pushtimit, 26 ditë më parë.

Qytetarët janë të frikësuar dhe çdo ditë i shuhen edhe më shumë shpresat se do të mund të evakuohen drejt një vendi të sigurt.

«Jam e sigurt se do të vdes së shpejti. Është çështje ditësh. Në këtë qytet të gjithë presin vdekjen. Do të doja që të mos ishte kaq e frikshme.', tha një prej qytetarëve të Mariupolit.

Kjo është dëshmia në Facebook e një qytetareje të Mariupolit, Nadezda Sukhorukova e cila i bën postimet e saj si një lloj ditari lufte.

Ora 12:25
Ambasadori francez në Kiev: Po mbledhim prova për krimet e luftës së Rusisë

 "Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ukrainase, po mbledhim të gjitha provat që shfaqin krimet e luftës që ka bërë Rusia kundrejt Ukrainës”. Kjo ka qenë deklarata e Ambasadorit francez në Ukrainë, Etienne de Poncins.

Diplomati është kthyer në Ukrainë sërish për të njoftuar të gjitha francezët të largohen nga vendi sa më parë.

Franca, së bashku me Italinë, është i vetmi vend i G7 që nuk e ka transferuar selinë e saj diplomatike jashtë vendit.

Ora 12:10
BE: Do të rrisim ndihmën financiare për Ukrainën për të blerë arme

Bashkimi Evropian do të rrisë ndihmën financiare për Ukrainën për blerjet e armëve në një miliard euro. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila ka mbërritur në Këshillin e Punëve të Jashtme në Bruksel. "Sot ne po vendosim politikisht t'i ofrojmë mbështetje të mëtejshme financiare ushtarake" Kievit "për të rritur kapacitetin e tij financiar për blerjen e mjeteve ushtarake në një miliard euro", shpjegoi ministri gjerman.

Ora 11:47
Rusia: Nuk do të ketë armëpushim gjatë negociatave me Ukrainën

Kremlini nuk e konsideron shpalljen e e një armëpushimi në Ukrainë gjatë negociatave ruso-ukrainase, tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov. "Jo. Çdo pezullim shfrytëzohet nga njësitë nacionaliste (ukrainase) për të riorganizuar dhe vazhduar sulmet ndaj ushtrisë ruse," tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi këtë temë. ‘Ukrainasit kanë shkelur në mënyrë të përsëritur armëpushimin’, shtoi Peskov.

Ora 11:13
Sërish shtetrrethimi në Kiev, kryebashkiaku: Qëndroni në shtëpi! Sapo të dëgjoni alarmin shkoni në bunkerin më të afërt

Një shtetrrethimi i ri është shpallur në kryeqytetin ukrainas Kiev.

Ora policore do të nisë në 20:00 sot deri në orën 07:00 të mërkurën. Kështu ka lajmëruar kryetari i bashkisë së qytetit, Vitali Klitschko, në Telegram.

“I kërkoj të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi ose në bunker kur bie alarmi”, shkruan ai.

Kjo nuk është hera e parë që në Kiev zbatohet një shtetrrethim dhe kjo për të mbrojtur qytetarët nga bombardimet ruse.

Ora 11:02
Mariupoli nuk gjen qetësi, bombardohet çdo 10 minuta

Mariupoli bombardohet çdo 10 minuta. Përveç tankeve dhe artilerisë, qyteti bombardohet edhe nga anijet ruse të zbarkimit.

Kjo është thënë nga zëvendëskomandanti i regjimentit Azov , siç raportohet nga Ukrinform.

Sipas këshillit të qytetit të Mariupolit, disa banorë të rrethit të Bregut të Majtë të Mariupol depërtohen me forcë në Rusi dhe u konfiskohen pasaportat.

Ora 10:57
Po prisnin radhën për në market, shpërthen predha ruse pranë njerëzve në Ukrainë (VIDEO)

 

Në video e frikshme po qarkullon minutat e fundit në internet, ku një predhë ka shpërthyer pranë njerëzve teksa po prisnin radhën në supermarket.

Siç duhet nga videoja predha shpërtheu krejt papritur, ndërsa menjëherë shihet që njerëzit reagojnë.

Deri në këto momente ende nuk është raportuar ndonjë viktimë apo i lënduar,

Ora 10:31
Kremlini: Embargoja ruse e naftës do të prekë të gjithë Europën

Moska ka deklaruar se vendosja e embargos së naftës ruse do të sjell pasoja për të gjithë.

"Vendimi për të vendosur një embargo ndaj furnizimeve ruse të naftës do të përkeqësojë ekuilibrin energjetik në Evropë duke prekur të gjithë", është thënë në deklaratën zyrtare të Kremlinit raportuar nga TASS.

Ora 10:19
Kremlini: Nuk do të ketë një takim mes Putin dhe Zelenskyt tani për tani

 

Një takim mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyn, duket se nuk është në planet e afërta të Rusisë siç lajmëroi Kremlini.

“Nuk do të ketë takim Putin-Zelenksy tani për tani”, thuhet në njoftim

Ora 10:14
Qeshin me zemër, dy oficerë luajnë me disa fëmijë ukrainas në kufirin sllovak: Duam t’i bëjmë largimin nga vendi i tyre sa më të lehtë

 

Lufta në Ukrainë vazhdon dhe imazhet e qytetet e shkatërruara nga bombardimet bëjnë trishtojnë cdo njeri që i sheh. Megjithatë, mes gjithë tensionit, një gjest i ëmbël nga dy oficerë të policisë sllovake ka ngrohur zemrat e përdoruesve të rrjeteve sociale.

Një moment i adhurueshëm ku dy oficerë të policisë po mundohen të gëzojnë dy fëmijë të vegjël ukrainas pranë kufirit sllovak. Fëmijët shihet duke u argëtuar dhe qeshur me zemër.

 “Në kufi, policia, ushtarët, zjarrfikësit dhe personat e tjerë përgjegjës përpiqen të jenë shumë empatikë ndaj fëmijëve për t'i bërë më të këndshme momentet e pritjes së tyre”, ka shkruar policia bashkëngjitur me videon e ngrohtë.

Në një kohë kur agresioni rus vijon edhe pas 3 javës, disa familje ukrainase kanë arritur të largohen nga lufta.

 

Ora 09:57
Ukraina: Kemi vrarë rreth 15 mijë ushtarë rusë

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës deklaron se që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, rreth 15,000 ushtarë Rusë janë vrarë.

Ora 09:53
Bashkimi Europian: Krime masive lufte në Mariupol! BE do të diskutojë sanksionet ndaj energjisë ruse

1647383078_borrelli485x360.jpg

“Rusia po komenton shumë krime lufte, duhet thënë. Ajo që ndodh në Mariupol është një krim i madh lufte: ata po shkatërrojnë gjithçka, po bombardojnë dhe vrasin këdo. pa dallim. Është diçka e tmerrshme që ne duhet ta dënojmë me termat më të ashpër”.

Kështu ka deklaruar sot përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, me të mbërritur në Bruksel.

Ndërkohë, ai është shprehur se BE do të diskutojë edhe sanksione ndaj energjisë ruse.

"BE do të diskutojë sanksionet ndaj energjisë ruse", tha ai.

Ora 09:50
Teatri një ‘bunker’ për frikën e luftës! Artistët performojnë për ukrainasit teksa bombardimet vazhdojnë

Arti nuk e humb fuqinë e magjisë së tij edhe kur bombardimet ruse shpërthejnë qytetet ukrainase.

Aktorët e Teatrit Drama Frankivsk kanë performur muzikalin Hutsulka Ksenia në kuadër të projekt "Teatër në strehën e bombave".

Artistët kanë performuar për të gjithë njerëzit në strehimore, për t’i falur pak momente relaksi.

Teatri është bërë një strehë për artistët ndërsa pushtimi rus i Ukrainës vazhdon.

Ora 09:15
Lufta në Ukrainë, Johnson do të niset drejt Kievit për të diskutuar me Zelenskyn

Boris Johnson po mendon të shkojë në Kiev sa më shpejt të jetë e mundur për një takim personal me Presidentin Zelensky.

Sipas Daily Mail, me këtë udhëtim kryeministri britanik synon të tregojë mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë. Johnson u kërkoi zyrtarëve të tij që të studiojnë prakticitetin dhe vlerën e një udhëtimi në kryeqytetin ukrainas për bisedime me Zelensky.

Ora 09:13
Ishte martuar vetëm pak ditë më parë dhe kishte gruan shtatzënë, gazetari rrëfen historinë prekëse të ushtarit Ukrainas që u vra nga bombardimet ruse

 

Fotoreporteri ukrainas Andriy Dubchak ka rrëfyer një histori prekëse të vrasjes së një ushtari në Ukrainë nga sulmet Ruse.

‘Ndonjëherë mendoni me vete se shumica e ngjarjeve nuk kanë rëndësi! Ju mendoni se shumë gjëra janë të rastësishme! Dhe pastaj krejt papritur diçka rezulton të jetë shumë e rëndësishme!

Serhii Mashovets, ushtar ukrainas, e takova për rreth gjysmë orë rastësisht në datën 13 mars, në rrugën që të çon ne Horenka. Ai ishte shumë i lumtur, si një fëmijë, dhe më tregoi unazën e tij të martesës. Ishte martuar një ditë më parë në 12 mars, pasi gruaja e tij tashmë shtatzënë refuzoi të zhvendosej në Itali pa lidhur martesë.

Më datë 14, një ditë pasi e takova, ai u vra në një bombardim artilerie, pikërisht në të njëjtën rrugë, së bashku me komandantin Kruk dhe dy gazetarë të FOX News. Mëngjesin e datës 19 mars, po rastësisht përfundova në funeralin e Serhiit në varrezat ushtarake Lukyanivka... Video e tij ja kalova familjes.’- shkruan ai.

Ora 08:51
Funerali i vetmuar i një ushtari në Ukrainë, historia e trishtë e 21-vjeçarit që prindërit se dinin djali po u varrosej

1647849657_page.jpg

Dymtro Kotenko ishte duke mbrojtur vendin e tij, kur pushtuesit e vranë në moshën 21-vjeçare. Kur ai u varros nuk kishte pranë vetes asnjë familjarë.

Prindërit nuk i dëgjuan plumbat në ajër që u shtënë për nder të tij nga kolegët, nuk e panë as tokën ku u mbulua me dhé arkivoli i tij, e as nuk patën mundësi që të vinin asnjë lule. Me shumë mundësi, prindërit e Kotenkos nuk e dinin që djali i tyre po varrosej atë ditë në varrezat Lychakiv në Lviv të Ukrainës. 

Ata ishin 600 milje larg, me dy vëllezërit e tij më të vegjël, pranë qytetit lindor të Sumy, i cili po bombardohej aq rëndë nga forcat ruse saqë ishte shkëputur nga bota e jashtme.

Ora 08:50
25 kilometra nga qendra, objektiva kryesore e Putin mbetet Kievi

Ministri britanik i Mbrojtjes, shpjegoi se marrja e kryeqytetit ukrainas mbetet objektivi kryesor i presidentit rus, Vladimir Putin.

"Përparimi nga verilindja e vendit është ndalur dhe rezistenca ukrainase ka zmbrapsur trupat që u përpoqën të depërtonin Hostomel”, tha ai.

Pjesa më e madhe e trupave ruse janë vetëm 35 kilometra nga qendra e Kievit.

Ora 08:34
Rusët vjedhin 5 anije ukrainase që transportonin mijëra tonë drithëra

Ushtria ruse kanë vjedhur pesë anije që transportonin dhjetëra mijëra tonë drithëranë portin e Berdyansk në Ukrainën jugore. Kjo u raportua nga guvernatori i Zaporizhzhia Oleksandr Starukh. Dëshmitarët okularë të cituar nga "Kiev Independent" raportojnë se anijet janë grabitur nga rimorkiatorë rusë.

Ora 08:19
Rrjedhje amoniaku në një fabrikë në Ukrainë! Moska: Provokim i planifikuar nga forcat ukrainase

Në një fabrikë kimike në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumy, të rrethuar nga trupat ruse, është raportuar për rrjedhje amoniaku.  Kjo u konfirmua nga guvernatori rajonal i Sumy, Dmytro Zhyvytskyy, i cili nuk specifikoi se çfarë e shkaktoi, megjithatë pak orë më vonë u bë e ditur se situata u vu në kontroll. 

Kjo për Moskën është një "provokim i planifikuar nga forcat ukrainase".

Ora 08:18
Sulm mbi një qendër tregtare dhe disa shtëpi në Kiev, nxirret gjallë mrekullisht një ukrainas nga rrënojat

 

Të mbijetosh në Ukrainë pas në sulmi të fuqishëm është vërtet një mrekulli. E tillë ishte edhe për burrin në video që arriti të nxirrej i gjallë nga rrënojat e ndërtesës ku po qëndronte.

Ekipet e shpëtimit nuk kanë ndalur për asnjë minutë punën e palodhur për shpëtimin e sa më shumë personave pas sulmit rusë mbi qendrën tregtare dhe disa prej shtëpive përreth.

Ora 08:07
VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në një qendër tregtare në Kiev, 8 të vdekur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në Kiev, Podil. Numri i viktimave nuk është ende i qartë, ndërsa të paktën tetë persona janë konfirmuar të vdekur. Një sërë shtëpish në qytet u goditën gjithashtu.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?