KIEV - Kievi dënoi sot hyrjen nga Rusia të dhjetëra tankeve dhe trupave ushtarake në lindjen rebele të Ukrainës ku të paktën pesë ushtarë u vranë, shenjë e re përkeqësimi që prej zgjedhjeve separatiste.
Pesë ushtarë u vranë dhe 31 persona, 16 ushtarë dhe 15 civilë, u plagosën 24 orët e fundit, sipas autoriteteve, një nga bilancet më të rënda që prej armëpushimit të 5 shtatorit.
Ky armëpushim u vu në pozita të vështira nga zgjedhjet që u zhvilluan të dielën në rajonet rebele, votime këto të njohura "de facto" nga Moska dhe që shtynë Kievin të marrë masa shtesë për të izoluar më shumë zonat separatiste.
Nën frikën e një ofensive të re rebele, zëdhënësi ushtarak ukrainas Andri Lyssenko, pohoi se 32 tanke, pjesë të artilerisë dhe kamionë që transportojnë ushtarë lishin hyrë në Ukrainë nëpërmjet Rusisë.
"32 tanke, 16 topa dhe 30 kamionë ushtarakë të tipit Kamaz me trupa brenda hynë në Ukrainë që prej Rusisë dhe janë drejtuar në qytetin Krasny Loutch në rajonin rebel të Luganskut. Ndërsa një kolonë tjetër me kamion që transportonin tre stacione radio kaluan kufirin në pikën e kontrollit Izvarine, që është nën kontrollin separatist", sipas Andri Lyssenko.
Në donetsk, bastioni kryesor rebel, 15 civilë u plagosën dje nga shpërthimet e predhave në lagjet që janë pranë aeroportit të Donetskut, një nga pikat më të nxheta ku trupat ukrainase dhe separatistët prorusë po luftojnë prej disa muajsh./ATSH/