KIEV, 12 nëntor /ATSH-AFP/ - Ukraina theksoi sot se po përgatitej për luftime si reagim ndaj një përqendrimi të trupave ruse në lindjen separatiste proruse konfirmuar nga NATO, që i trembet një lufte të hapur pas dy muajve të një armëpushimi të brishtë.
Moska, që përgënjeshtron çdo përfshirje në konfliktin e përgjakshëm në rajonet lindore ukrainase dhe që ka shkaktuar më shumë se 4 000 të vdekur që prej mesit të muajit prill, i ka cilësuar të pabaza akuzat e kryekomandantit të forcave aleate të NATO-s në Evropë, Philip Breedlove, sipas të cilave autokolonat ushtarake ruse janë nisur drejt Ukrainës", sipas një zëdhënësi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Përballë përshkallëzimit ushtarak që ka rritur frikën për një luftë të përmasave të mëdha, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të zhvillojë një takim urgjent për të diskutuar për krizën në Ukrainë dhe për pikëpamjet e përfaqësuesve të OSBE-së (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) ngarkuar për të mbikëqyrur armëpushimin e arritur në muajin shtator nga Kievi dhe separatistët./
/ec/ a.jor.