Shtatë civilë u vranë dhe të paktën gjashtë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit në pjesën lindore proruse të Ukrainës. Intensifikimi i sulmeve e ka dobësuar armëpushimin në fuqi, njoftuan sot autoritetet ukrainase dhe separatiste.
Tri persona u vranë nga bombardimet në zonën e kontrolluar nga pushteti qendror i rajonit të Donetskut, bëri të ditur një zyrtar i administratës rajonale pro Kievit.
Dy prej viktimave u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në Sartana, një zonë në periferi të portit strategjik të Mariupolit që shtrihet në brigjet e detit Azov.
Mariupoli është qyteti i fundit i madh në lindje nën kontrollin e Kievit ndërsa në të shkuarën rebelët e kishin përcaktuar si objektivin e tyre të ardhshëm.