UKT investim në rrugën e ‘Kavajës’, Veliaj: Dyfishohet prurja e ujit, përfitojnë 28 mijë banorë

Afro 28 mijë banorë të Njësisë 7 do kenë ujë më cilësor dhe shërbim më të mire në shtëpitë e tyre. Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur shtrimin e një linje të re përgjatë Rrugës së “Kavajës”, çka do të sjellë një shpërndarje më të mirë në rrjetin e ujësjellësit, si dhe ujë më cilësor për banorët e kësaj njësie. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe theksoi se ky investim vjen edhe si një shpërblim për një nga lagjet që është më korrekte në pagesën e ujit.

E gjithë zona e Njësisë 7 ka rreth 28 mijë banorë, të cilët përfitojnë nga ky rrjet i ri ujësjellësi. Është një nga njësitë model dhe më shembullore me mbi 95% në pagesat e ujit, do të thotë që do të marrin mbi 95% të investimeve të zonës. Besoj se shpërblimi me punë i atyre që janë të rregullt ne pagimin e këtij malli të çmuar, si uji, është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është fabula e bashkisë sonë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Veliaj pohoi se rrjeti i ri zëvendëson rrjetin e vjetër të vitit ’63, i cili ishte totalisht i amortizuar, çka pritet të rrisë edhe presionin e ujit nëpër banesa, duke mundësuar ujë në mënyrë të rrjedhshme edhe për katet më të larta të pallateve.

Rrjeti i ri zëvendëson një rrjet të vjetër para 55 vjetësh, një rrjet gize totalisht i amortizuar dhe tani kalojmë nga 1.5 bar të presionit të ujit në 3 bar. Do të thotë që dyfishohet presioni dhe në pjesën më të mirë të pallateve nuk do të ketë më as nevojë për pompa elektrike që çojnë ujin deri në katet fundore.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku shtoi se puna do të vazhdojë edhe me dy projektet madhore, sipas marrëveshjes së bërë tashmë me BERZH dhe nga i cili do të rritet kapaciteti filtrues në Bovillë dhe do të shtrihet linja e re për zonën e Astirit.

Do të vazhdojmë me këtë ritëm me investimet e ujësjellësit dhe sigurisht, dy investimet madhore të 6-mujorit të dytë do të jenë dyfishimi i kapacitetit filtrues të Bovillës me kredinë e BERZH-it, si dhe linja direkte nga Bovilla deri te Astiri.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Ai shprehu angazhimin e punonjësve të bashkisë për të përfunduar në kohë punimet në kryeqytet, edhe pse ka pasur vonesa për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Kemi punuar me 3 turne për t’u siguruar që shtatori na kap me të gjitha institucionet arsimore, por mbi të gjitha me të gjithë infrastrukturën në rregull. Rruga e Kavajës ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Filluam me ishullin në mes që po bëhet një korsi biçikletash. Tani jemi duke punuar në të dy anët e Rrugës së Kavajës me një rrjet uji, i cili lidh investimin që bëmë vjet te Parlamenti deri te 21-shi.

Kryebashkiaku Erion Veliaj

Drejtori i UKT-së, Redi Molla sqaroi më tej se kjo është faza e dytë e investimit në këtë zonë, që përfshin nga Rruga e Kavajës deri tek Rruga e Durrësit dhe nga Rruga e Kavajës në krahun tjetër të Tiranës.

Është zëvendësimi i tubit të gizës që rrit presionin, nga 1.5 e çon në çdo kat, pra presioni i ujit mund të arrijë deri në kat të pestë apo të gjashtë të çdo pallati të vjetër, pa sistemin e pompimit. Përveç kësaj eliminon edhe të gjitha humbjet e tubit të gizës të amortizuar që është shtruar në vitin ’63, eliminon ndotjet që është një ndër gjërat më të rëndësishme. Kompleton edhe disa faza, që kemi filluar që vitin e kaluar, për pjesën e rrugës “Naim Frashëri” dhe paraprin fazën që do të vazhdojë nga “21 Dhjetori”, në Unazë të Mesme, deri në “Vasil Shanto".

Drejtori i UKT-së, Redi Molla

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat