Bordi i Transparencës nuk do të jetë më në funksion, njoftoi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së ministrave. Zhvillimet e fundit për marrëveshjen mes SHBA-ve dhe Iranit që ka larguar edhe ngërçin në Ngushticën e Hormuzit, kanë ndikuar në rënien e çmimit të naftës në bursë.

“Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarburateve. Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Çmimi prej dy javësh ka ardhur duke u reduktuar, në bursë ka rënë”, tha Ibrahimaj.

Rrjedhimisht, shfuqizohet edhe zbatimi i nivelit 80% të akcizës mbi 220 lekë për naftën dhe mbi 200 lekë për benzinën. Ulja e akcizës aplikua për herë të parë më 3 prill, kur çmimi i naftës arriti 233 lekë, dhe për herë të dytë më 8 prill kur nafta ishte 230 lekë litri. Akciza është aplikuar 2 herë në total.

Vendimi i fundit i Bordit lidhur me çmimet e hidrokarbureve ishte të mërkurën, sipas të cilit nafta u vendos të shitej me 176 lekë/litri kurse benzina me 166 lekë.

Bordi i Transparencës u rikthye në funksion më 19 mars, ndërsa më datë 26 ndërhyri për herë të parë. Gjatë kësaj periudhe, ka realizuar 37 mbledhje.

Lajm në përditësim...