Nafta do të shitet me 206 lekë/litër, nga 210 lekë që ishte më parë. Bordi i Transparencës ka vendosur që të ulë me 1 lek/litër edhe çmimin e benzinës ndërsa gazi nuk ndryshon. Nga sot benzina do të shitet 191 lekë/litër, ndërsa gazi mbetet 69 lekë/litri.

“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 191 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 179 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 113 lekë/litër”, njofton Bordi i Transparencës.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 26 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.