Ulet sërish çmimi i naftës në Shqipëri, Bordi i Administrimit: 203 lekë për litër deri në datë 21 mars. Lajmin e ka bërë me dije Kryeministri Rama në Facebook.  Çmimi i naftës është ulur me 8 lekë për 5 ditët e ardhshme nga një vendim i Bordit të Administrimit të Karburantit. Ditën e djeshme çmimi ka qenë 211 Lekë për litër.

Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Kujtojmë se Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e  abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.

Çdo operator i shitjes në treg është i detyruar të respektojë këtë vendim, ndërkohë që organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 16.3.2022
Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë,  sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës,  bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:

1.    Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër,  dhe nënproduktit benzinë  për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër
2.    Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 203 lekë/litri.
3.    Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228  për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 206 lekë/litri.
4.    Çmimi i shitjes me pakicë të  nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të jetë I pandryshueshëm 93  lekë/litri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:49
Rama publikon tabelën e naftës në bursë: Grafiku tregon kërcimin e çmimit që lidhet me luftën, mos bini pre e daulleve të dezinformimit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një grafik të lëvizjes së çmimit të naftën në bursë, ku thotë se kjo tregon pikërisht se kjo rritje përtej të imagjinueshmesh ndodhi për shkak të luftës. Rama tha se qytetarët nuk duhet të bien pre e zhurmës së dezinformimit.

“A ka apo s'ka lidhje lufta me kërcimin e çmimit të naftës në tërë botën, kjo është një pyetje që mund ta bëjë vetëm kush bie pre e zhurmës së daulleve të dezinformimit e të çoroditjes së publikut, nga ata që dihet e shihet se kush janë. Ky grafik i nxjerrë sot nga një prej burimeve më serioze të informacionit për çmimet e naftës në botë, e tregon kokëfortësish se kërcimi i panatyrshëm i çmimit, që kishte nisur të rritej pak nga pak paralelisht me thellimin e krizës energjetike, përkon përpikërish me nisjen e luftës. Mospranimi i fakteve të realitetit dhe fabrikimi i një realiteti konfliktual, me sajesa, shpifje, sharje, akuza, analiza të rreme, me qëllim shfrytëzimin e një tronditjeje që shkaktohet nga një fatkeqësi natyrore e pashmangshme, nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri. Por këtë herë - kur një popull i tërë europian po martirizohet nga një agresion ushtarak dhe kur bota flet deri edhe për rrezikun e paimagjinueshëm të Luftës së Tretë Botërore - kjo shfaqje dhune verbale, për të nxitur urrejtje, përçarje, destabilizim, përmes shpifjesh, akuzash, sharjesh, mallkimesh, ishte fare fare e tepërt”, shkruan Rama.

Grafiku i naftës në bursë