Ndryshimi i hartës së re të çmimeve në Tiranë ka ndryshuar dhe strukturën e tatimit mbi fitimin në to. Kështu të humbur duket se do të jenë ata që kanë bërë rivlerësimin e pronës gati dy vite më parë. Ndonëse ata e kanë rivlerësuar banesën me çmimet e asaj kohe kundrejt tatimit prej 1 për qind, kjo nuk do tu shërbejë, kjo për vetë faktin se në pjesën më të madhe të zonave të kryeqytetit ka një ulje të çmimeve, çka përkthehet dhe në një eliminimi të tatimit prej 10 për qind, duke qenë se vlera e rishikuar e banesës është më e ulët nga ajo që mori vendim qeveria një muaj më parë.

Madje dhe në tregun e tokave bujqësore u pa një ulje e ndjeshme e çmimeve, duke bërë dhe në këtë rast uljen e tatimit mbi fitimin në kontratat që firmosen, kjo për shkak se këto janë çmime dysheme që shërbejnë dhe në këtë treg shitblerjesh.