Ulqini: Si i dhashë teserën
e PS-së Ramës e Meidanit

Ulqini: Si i dhashë teserën<br />e PS-së Ramës e Meidanit
TIRANE--  Njëri ndër ish-themeluesit e Partisë Socialiste Musa Ulqini, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” përshkruan momentet kur kongresi i vitit 1991 e ngarkoi të lexonte para delegatëve deklaratën e themelimit të PS.

Ai flet dhe për momentet më kulmore të reformimit të kësaj partie në 22 vite të jetës së saj, duke besuar te fitorja e 23 qershorit, si dhe momentet kur u ka dhënë teserën e PS ish-Presidentit Rexhep Meidani dhe kryetarit aktual socialist dhe të opozitës, Edi Rama.

Ulqini thotë se gjatë fushatës në qarkun e Elbasanit i kishin përsëritur se fitorja e PS vjen dhe për shkak se si parti reformohet por dhe se ajo ka nxjerrë gjithnjë mësime nga pësimet e së kaluarës.
 
Keni qënë një ndër anëtarët themelues të Partisë Socialiste, si një nga delegatët e kongresit të 12 qershorit të vitit 1991. Çfarë kujtoni për atë kohë dhe si e shihni ecurinë e PS ndër vite....?
Kam patur fatin që në kongresin themelues të PS të lexoj përpara delegatëve një dokument shumë të rëndësishëm, thirrjen që delegatët e kongresit i drejtonin popullit shqiptar ku i bënin me dije vendimin historik të kongresit themelues për të krijuar një parti moderne, një të majtë moderne sipas standardeve të funksionimit të partive të Internacionales Socialiste.

Gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale në zonën e Dumresë, Sulovës, Gostimës dhe Cërrikut, shumë bashkëbisedues të mi, fermerë të këtyre anëve, shprehen se PS do të fitojë në mënyrë të sigurtë.

Do të fitojë PS sepse tashmë është një forcë politike 22 vjeçare, që jo vetëm ka paraqitur një program i cili ka në thelb të tij problemet që shqetësojnë sot fermerët, por dhe pse PS ka ditur të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës.
    
Si e komentoni reformimin e PS në këto 22 vite, nga 1991 e deri në anëtarësimin në Internacionalen Socialiste...?
Ajo që mund të them është se 22 vjet janë shumë pak në jetën e një partie politike, sa kohë që parti simotra siç janë laburistët anglezë, janë parti që kanë më shumë se një shekull që janë krijuar. Por zhvillimet në Shqipëri dhe në Partinë Socialiste kanë qënë kaq të vrullshme dhe kaq intensive, saqë tashmë 22 vite mund të konsiderohen një histori e vërtetë suksesi.
 
Ju jeni ndër njerëzit që i keni dhënë teserën e PS ish-presidentit Rexhep Meidani dhe kryetarit aktual të PS dhe kandidatit për kryeministër Edi Rama. Jeni dorë e mbarë…?
Për shkak të faktit që për vite të tëra, pesë mandate rresht, kam qënë kryetar i degës më të madhe të socialistëve të Shqipërisë Tiranë, kam patur fatin dhe nderin që t’u jap teserën e Partisë Socialiste personaliteteve të shquara të forcës sonë poolitike si ish-presidentit Rexhep Meidani dhe kryetarit atual të PS, Edi Rama.
 
Në këtë 22 vjetor të krijimit të Partisë Socialiste cili është urimi juaj për të majtët dhe shqiptarët...?
Uroj me gjithë shpirt që në këtë 22 vjetor socialistët shqiptarë të bashkuar si asnjëherë tjetër rreth alternativës që Partia Socialiste ka shpallur publikisht si program qeverisës, të garantojë një proces zgjedhor sipas standardeve demokratike, duke bërë të mundur që fitorja e PS të jetë sa e sigurtë dhe sa më spektakolare.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Nuk asgjësuan 1000 rrënjë hashashi në Shalë, pezullohen nga detyra 6 nënkomisarë dhe inspektorë të Policisë! AMP ekzekuton vendimin (EMRAT)

Shkodër/ Nuk asgjësuan 1000 rrënjë hashashi në Shalë, pezullohen nga detyra 6 nënkomisarë dhe inspektorë të Policisë! AMP ekzekuton vendimin (EMRAT)