Ultimatumi i SHBA, 'sovranistët' tanë dhe fati i keq i popullit opozitar

Ultimatumi i SHBA, 'sovranistët' tanë dhe fati i keq i popullit opozitar

Sali Berisha, Ilir Meta dhe Yuri Kim

Tensionimi i situatës në veri të Kosovës dhe vendosja e barrikadave nga ana e serbëve, dihet tashmë si shkoi, dhe përfundimi ishte ashtu sikurse nisi: një flakë kashte për konsum politik.

Pasi mbajtën për disa javë debatin politik në aksin Beograd-Prishtinë-Tiranë, në nivelin më të lartë, pasi u tentua rritja e kuotave politike te qytetarët e vendeve respektive, me lojën e njohur “patriotike”, pasi u rrit dhe kërkesa në hotelet e Tiranës e deri dhe të Korçës nga pronontimet e “patriotëve” dhe “kosovaristëve” të rrjeteve sociale, të cilët ishin frikësuar se po kërciste lufta në veri të Kosovës dhe “këmbët e lehta, faqja e bardhë”, një telefonatë nga përtej Atlantikut shërbeu si uji i ftohtë në kazanin që ‘valonte’ nga ‘zjarri’ i ndezur me gjethe, për ta shuar tërë këtë valim

Telefonata erdhi nga Uashingtoni, i cili i lodhur nga lutjet ndaj Beogradit për të hequr barrikadat, por dhe duke përdorur si argument faktin e shkruar se Hashim Thaçi, njeriu që udhëhoqi luftën kundër genocidit serb deri në çlirimin e plotë të Kosovës dhe me mbështetjen e NATO-s për që në mënyrë të habitshme gjendet në burgjet e Hagës vetëm se mbojti popullin e tij, kishte nënshkruar një marrëveshje me Vuçiç, në praninë e SHBA-BE, për vënien nën kontroll nga forcat e sigurisë së Kosovës, të shoqëruar dhe nga KFOR të veriut të Kosovës. Pra Uashingtoni zyrtar i lëshoi një ultimatum të ‘nxehtë’ presidentit serb, që i futi dridhmat Beogradit.

Ultimatumi kishte vetëm një fjali: për 24 orë të hiqen barrikadat e vendosura nga serbët në veri të Kosovës, dhe të lirohet rruga e bllokuar ndërshtetërore mes dy vendeve.

Shkurt qartë, pastër dhe pikërisht në vendin e duhur, ultimatumi iu drejtua presidentit serb Vuçiç, i cili dihej se komandonte maskat serbe që qëndronin pas barrikadave. Për arsye elektorale ose për mbështetje ndaj aleatit të saj Rusisë, duke ecur në një ‘tel’ të hollë mes Brukselit e Moskës, këto i shpjegon vetëm Vuçiçi.

Por SHBA nuk kishte nge të duronte më mistrecët politikë ballkanikë që grindeshin për arsye të stisura, ndërkohë që më tutje në Lindje ka një luftë, agresioni i Putin ndaj Ukrainës, luftë që është mbështetur totalisht nga amerikanët dhe aleatët e tyre europianë. Me të gjitha mënyrat!

Dhe për 24 orë nga momenti i lëshimit të ultimatumit drejt Vuçiç, barrikadat u “çmontuan” dhe u larguan sikur të mos kishin qënë asnjëherë, duke lënë të lirë kalimin e mjeteve dhe njerëzve, por dhe duke ç’tensionuar situatën mes Serbisë dhe Kosovës e më gjërë në rajonin e trazuar të Ballkanit, një “stuhi në gotë” kjo për arsyet e paarsyeshme që përmendëm më lart. Politikanët e ‘llastuar’ ballkanas ndalën ‘kuisjet’ dhe zbatuan ultimatumin e prerë të SHBA pa kundërshti.

I nënvizuam këto fakte, jo se nuk e dinim se asgjë nuk do të ndodhte mes Serbisë dhe Kosovës, luftë jo e jo pasi ajo është mbyllur më 1999 me bombardimet e NATO-s, por për të bërë një përqasje me Shqipërinë tonë këtë fundviti, e cila është e mbërthyer nga kriza e moskuptimit dhe lufta për pushtet, jo për qeverisjen të kuptohemi, por për të marrë lidershipin e opozitës.

E si gjithnjë, si për t’i dhënë peshë më të madhe debatit që ka shpërthyer tek PD, mes Berishës dhe grupimit tjetër që udhëhiqet nga Basha-Alibeaj, futet dhe pak “Amerikë” brenda artikulimit politik të të gjitha palëve të përfshirë në konfliktin për lidershipin e partisë. Këtu ndikon ndoshta dhe vizita e Bashës në Uashington, përkundër deklaratave të Berishës se ish kreu i PD nuk e kalon dot Atlantikun.

Dhe këtu Berisha nuk mban, pranë tij dhe Meta, por ky i fundit në mënyrë ‘sezonale’, sa herë që përmendet ndonjë dosje korrupsioni dhe lobimi acarohet dhe kap mediat duke bërë si i fortë dhe “sovranist” i kulluar. Madje bën thirrje në drejtim të rinisë, shoqatave të biznesit deri shoqatave të veteranëve që të marrin “fatet e vendit vetë në dorë”.

Një thirrje që tregon se kjo qeveri nuk mundet dot me votë, që tregon pafuqinë e opozitës për të aspiruar pushtetin, por dhe kërkon njëherësh që të involvojë popullin në përplasje të dhunshme.

Por meqë jemi tek PD, Berisha sa herë që dëgjon ambasadoren amerikane Yuri Kim që artikulon ndonjë deklaratë për mediat, bën ndonjë vizitë në SPAK sidomos, sidomos kur zgjidhet kreu i këtij institucioni të lartë hetimi apo kur bën ndonjë postim në rrjetet sociale, e mbi të gjitha kur kërkon që shoqëria dhe politika shqiptare të ndahen nga e shkuara e të “mos hanë bar”, i ngrihen “qimet” e kokës përpjetë.

Dhe akoma më tej acarohet dhe del nga binarët kur dëgjon se ndonjë dosje që mban emrin e tij sipër shkon për hetim në SPAK, sidomos ajo e aferës së ish kompleksit “Partizani”, “Gërdeci”, ’21 janari’ apo afera CEZ-DIA, këtu Berisha nuk mban më. “Destabilizohet” plotësisht!

Monologjet e kreut të “Rithemelimit” para mediave, teksa sulmon ambasadoren Yuri Kim duke e etiketuar “Guvernatore e Shqipërisë”, dhe që ndërhyn në punët e brendshme të vendit, e deri në thirrjet në drejtim të DASH dhe presidentit Joe Biden që t’ia tërheqin “veshin” ambasadores së tyre në Tiranë, me akuzën se po kërkon edhe që të diktojë bashkë me Ramën zgjedhjen e kreut të opozitës, janë bërë tashmë linjë politike. E bëri dhe sot një akuzë të tillë teksa bëri bilancin e shkëlqyer të opozitës së tij për këtë vit. Akuza që ‘përthihen’ me shpejtësi nga ithtarët poshtë, demokratë apo dhe mediatikë, të cilët e ‘trashin’ akoma më shumë gjuhën kundër Yuri Kim.

Anipse e dinë kulluar se ambasadorja amerikane s’flet në emër të saj, por në emër të qeverisë së SHBA dhe përçon politikën e shtetit amerikan, kryeqendrës së demokracisë botërore, në vendin tonë. Por Berisha s’dëgjion nga ai ‘vesh’. SHBA e ka shpallur ‘non grata’ për korrupsion të nivelit të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Më rëndë nuk ka ku shkon më, pavarësisht se Berisha mban të vetët me gajret se për të vënë në vend dinjitetin e opozitës në vend, por dhe të vetes, ai ka bërë ankimim në një gjykatë rajonale franceze.

Nuk dëgjohet më Berisha të flasë për këtë fakt, deri ku ka shkuar procesi, megjithëse ka kaluar gati një vit nga “ankimimi” dhe gjatë kësaj kohe kanë rrjedhur shumë ujra. Ështe dhe Britania ajo që e ka shpallur “non grata” Berishën, për tre elementët e përmendur nga SHBA, por duke i shtuar dhe emra konkretë veprash anti-ligjore si favorizimi i biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç për pasurim të paligjshëm e pastrim parash, apo përdorimin nga Berisha të elementëve kriminalë për marrjen e lidershipit të PD. Janë akuza konkrete këto të Britanisë në drejtim të Berishës, por kreu i “Rithemelimit” ende nuk ka bërë asnjë padi ligjore për këto akuza.

Madje dhe vetë Fazlliç shkon e vjen në Tiranë dhe as që shqetësohet më për përmendjen e emrit të tij, ndërkohë që nga mediat Berisha nuk ka pse shqetësohet. Nuk i bëjnë asnjë pyetje në këtë “sektor”, vetëm pyetje ndihmëse: “A don me luftu turkun Gjin.? Po du”.

Situata bëhet akoma më ironike për vetë faktin se në ndryshim nga SHBA, Britania jo vetëm që ka akuza konkrete, jo se nuk kanë prova dhe fakte SHBA mbi të cilat kanë shpallur vendimin e “non gratës” të kuptohemi, por Londra të krijon dhe gjithë aksesin e mundshëm që ta godasësh këtë vendim “non grata” në gjykatat britanike. Berisha nuk e ka bërë deri më tani e me sa duket as ka ndërmend ta bëjë padi. Kjo shpjegon dhe faktin se dhe ankimimi ndaj sekretarit amerikan të shtetit Blinken është bërë thjeshtë dhe vetëm për të kaluar situatën dhe larguar Bashën.

Duke parë se si po vërtitet puna, Berisha flet për gjëra që as vetë nuk i beson, dhe që kanë të bëjnë me “luftën kundër korrupsionit kur të vijë në pushtet”, “rrëzimin e qeverisë së Ramës”, pasi sipas tij po shkatërron vendin, dhe po largon ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Pavarësisht se Rama mblodhi në Tiranë më 6 dhjetor liderët e 27 vendeve anëtare të BE në samitin e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, e gjitha në funksion të ngritjes së kuotave të Shqipërisë në sytë e europianëve dhe përafrimit të anëtarësimit të vendit në Union, Berisha doli dhe protestoi me pak vetë në mbështetje kundër këtij Samiti, në ‘cep’ të perimetrit të sigurisë. Protesta më e vobektë e Berishës në fakt.

Përtej ligësisë për të prishur këtë samit të pandodhur më parë në Shqipëri, Berisha asgjë nuk fitoi. Vetëm se i ndodhi e pamenduara asnjëherë, u bë viktimë e një të sëmuri mendor, i cili e qëlloi me grusht në fytyrë në mes të bulevardit dhe të truprojave të tij. Duke ia lëshuar në tokë “burrërinë’, aq të promovuar ndër vite si politikan i dorës së fortë dhe i ashpër. Kur ka gjë në dorë dhe ka pushtet kuptohet.

Dhe në fund të herës, Berisha gjendet nën një izolim të plotë ndërkombëtar, nuk e takon askush, nuk i jep asnjëri dorën, nuk ftohet në asnjë “qokë” as si ish president apo ish kryeministër. Pra trajtohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë si një politikan që nuk ekziston. Dhe ky izolim ka kapur dhe mbështetësit e tij. Deputetët e “Rithemelimit” s’përfshihen në listën e delegacioneve parlamentare jashtë vendit, nuk ka asnjë ftesë nga PPE-të apo organizma të tjerë partiakë, nuk ftohen nëpër ambasada. Izolim total.

Acarimi i Berishës arrin kulmin, sa nuk kalon ditë që nuk shfaqet si një “sovranist” i kulluar para militantëve të vet, shqiptarëve por dhe kërcënues ndaj ambasadorëve, kryesisht të SHBA dhe Britanisë, me akuza nga më të ultat ndaj tyre. S’ka çfarë humb për hir të së vërtetës, pasi dhe vulën dhe logon e PD deri më tani të humbur e ka. Nuk pyet as për mesazhet e SHBA dhe BE ndaj demokratëve që të braktisin të shkuarën, pra Berishën, dhe të orientohen drejt të ardhmës.

Madje ka pasur dhe ultimatume në drejtim të tij kundër përpjekjeve për destabilizim të vendit, me para ruse, por Berisha ka prekur fundin. Duke treguar qartë se s’kërkon pushtet. Ndajmë të njejtin mendim se pa mbështetjen e SHBA, BE e Britanisë, asnjë parti në Shqipëri nuk vjen në pushtet. Ndaj Berisha kërkon vetëm të mbajë me thonj grupimin më të madh në PD, duke pritur të pamundurën, ndryshimin e “klimës” në Uashington, Londër apo në Bruksel, që të thyhet “perdja e hekurt” ndaj tij dhe të ndryshojnë ‘erërat’ politike. Mban shpresë.

Ultimatumi i Uashingtonit që bëri punë për heqjen e barrikadave të serbëve të vendosura me komandën e Vuçiç, ndaj Berishës nuk bën punë. Ata kishin shumë për të humbur, janë interlokutorë të vendeve respektive me partnerët ndërkombëtarë. Mirë apo keq. Berisha praktikisht nuk njihet zyrtarisht jashtë rrethit të ithtarëve të tij, madje as nga gjysma e PD.

Jo vetëm sepse është një “kufomë” politike që lëviz si hije i vetëm nëpër Shqipëri, por sepse nuk kërcënon askënd. Shqipëria e ka qeverinë, ka qytetarët më pro amerikanë e pro evropianë, në masën 98 përqind, nuk ka pse merret me “kusurin” që ndjekin Berishën si sovranistë të kulluar. Ka dhe opozitarë, por praktikisht me udhëheqës të “vdekur” politikisht ose që kanë lindur të “vdekur”.

I dhimbshëm është fakti se çfarë do të bëhet me popullin opozitar, atë pjesë që për arsye të ndryshme është kundër qeverisë së majtë, pra janë në themel opozitarë, por dhe që nuk ndjekin Berishën. Dhe që gjenden në mes të katër rrugëve të papërfaqësuar.

Me sa duket fati i popullit opozitar qënka i shkruar: të qëndrojë në opozitë gjatë, po shumë gjatë. Sa kohë që “sovranisti” pas shpalljes “non grata” nga SHBA dhe Britania, Sali Berisha të flasë në emër të opozitës. Dhe për faj të vetë opozitës që nuk arrin të dalë nga “qarku i mbyllur” ku ka hyrë, duke mos gjetur një lider të pranueshëm nga shqiptarët e partnerët tanë që na mbështesin, për të pretenduar pushtetin.

Ose së paku për të bërë opozitë reale. Kjo është trishtuese. Pasi praktikisht jemi një vend pa opozitë, pjesën më militante të së cilës e kanë kapur për ‘fyti’ dhe e shtrëngojnë fort për 32 vite me radhë, dy ‘dinozaurët” e politikës Berisha e Meta. Po e mbysin!

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 31/12/2022 08:25

    "Sovranistet" salih+like janë në besen e rilindasit edvin. Ata do jene aty derisa te jete edvini aty ku eshte. Te tjerat jane porďhe me rigon.

    Përgjigju
  • Fiks Fare: 30/12/2022 20:26

    Pse e anash kaloni 270 milion € rruges se Kombit zoteri Gazetar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan