Për herë të parë në histori, FIFA do t'i dhurojë kombëtares fituese të Kupës së Botës 2026 30 unaza ekskluzive kampioni, duke ndjekur traditën e sporteve amerikane. Kjo unazë shumë e çmuar, e cila prej dekadash është simbol i triumfit në NBA, NFL, NHL dhe Major League Baseball, do të jetë kulmi i festës së futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

FIFA, e drejtuar nga Gianni Infantino ka krijuar një model unik, i cili do t'u dorëzohet lojtarëve dhe stafit të kombëtares fituese të finales mes Spanjës dhe Argjentinës, që zhvillohet këtë të diel në stadiumin 'MetLife' në New Jersey.

Kjo unazë konsiderohet një objekt me vlerë të jashtëzakonshme dhe do të prodhohet në një seri të kufizuar prej 2.026 copësh. Prej tyre, 30 do t'u dhurohen kampionëve të botës, ndërsa 1.996 të tjerat do të dalin në shitje për tifozët nga e gjithë bota.

Kjo është hera e parë që FIFA prezanton një çmim të tillë për fituesit e Kupës së Botës. Dizajni i saj është mbajtur sekret deri më tani. Në njërën anë të unazës është gdhendur trofeu i Kupës së Botës FIFA, ndërsa ana tjetër do të personalizohet sipas identitetit të kombëtares fituese, Spanjës ose Argjentinës.

Çdo unazë do të ketë numër serial unik, do të prodhohet sipas masës së personit që do ta marrë dhe do të shoqërohet me një certifikatë autenticiteti.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri i ekipit fitues do të marrin unaza të përkohshme për të shënuar momentin historik. Më pas, secila nga 30 unazat zyrtare do të personalizohet përpara ceremonisë përfundimtare të dorëzimit, duke u kthyer në një kujtim të përjetshëm të triumfit.

Sa kushton një unazë?

Vlera e saktë e secilës unazë është e vështirë të përcaktohet, pasi çdo ekzemplar është unik. Nga fotografitë e publikuara nga FIFA, duket se unaza është punuar me ar të verdhë, ndërsa në raste të tjera të ngjashme janë përdorur edhe modele me ar të bardhë. Pastërtia e arit mendohet të jetë mes 14 dhe 18 karatësh, edhe pse FIFA nuk ka dhënë të dhëna zyrtare.

Unaza është gjithashtu e zbukuruar me gurë të çmuar, çka rrit ndjeshëm vlerën e saj. Ajo mund të përmbajë diamante, rubinë, safirë ose gurë të tjerë të çmuar, një praktikë e zakonshme në unazat që u jepen kampionëve të ligave më të mëdha sportive amerikane.

Sipas vlerësimeve, çmimi i një unaze mund të arrijë deri në 130.000 euro, afërsisht sa unazat që marrin kampionët e NBA-së. Megjithatë, vlera përfundimtare varet nga numri dhe cilësia e gurëve të çmuar të përdorur, si edhe nga fakti nëse FIFA do ta vazhdojë këtë traditë në edicionet e ardhshme të Kupës së Botës.

Nëse kjo unazë mbetet ekskluzive vetëm për Kupën e Botës 2026, atëherë karakteri i saj unik mund t'ia rrisë edhe më shumë vlerën me kalimin e kohës, duke e bërë një nga suveniret më të çmuara në historinë e futbollit.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.