‘Unë e thirra Kadrinë, por ai më tha: t’ja lëmë armikut Mehmet Shehu, atë cilësim që bëri për mua!’/ Debatet e Enveri në Byro, 8 tetor ‘82

‘Unë e thirra Kadrinë, por ai më tha: t’ja lëmë armikut Mehmet Shehu, atë cilësim që bëri për mua!’/ Debatet e Enveri në Byro, 8 tetor ‘82

Foto nga Byroja

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.

Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh.

Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Mendoj që neve nuk na intereson fakti se kush e ka firmosur shkresën përcjellëse të dhjetorit të 1959, apo se kush duhet ta firmoste, ministri apo zëvendësministrin. Përderisa në atë vit, ju keni qenë ministër dhe nuk i kishit të qarta marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?! Mendoj që shumë më mirë duhet të kuptohej dhe veçanërisht ju duhet ta kuptonit unitetin marksist leninist të Partisë. Duke shikuar materialet e Partisë dhe shoku Enver, ato na mësojnë se: “Partia si repart pararojë i organizuar i klasës punëtore, duhet të jetë e para vigjilente në kulm, dhe e papërtuar ndaj armikut të klasës dhe që të jetë e tillë ajo, duhet të zbatojë normat leniniste.

Partia duhet të forcojë unitetin, po jo unitet çfarëdo, por atë që quajmë unitet marksist leninist. Uniteti marksist-leninist brenda në Parti, unitet mendimi e veprimi na bazë të normave leniniste, unitet në vetë udhëheqjen, unitet të çeliktë marksist leninist Parti-Popull, të frymëzuar nga ideologjia marksiste leniniste”.

Përsëri shoku Enver, na porosit se ruajtja e unitetit dhe kalitja e tij, nuk janë një gjë e arritur njëherë e përgjithmonë dhe që komunistët ta flenë mendjen. Uniteti në rrugën social-demokrate, uniteti jashtë parimeve e normave të marksizëm leninizmit, unitet për të mos i prishur qejfin njëri tjetrit, pa le të cënohen normat e Partisë, nuk është unitet marksist-leninist, nuk është unitet i Partisë sonë. Kështu na mëson shoku Enver me këtë vepër. Gjithashtu duke folur për lindjen e revizionizmit në Bashkimin Sovjetik ku, shoku Enver ka folur dhe për rolin e kuadrit.

Unë nuk kam ndërmend që të them të gjitha citimet e shokut Enver, por do përmend vetëm dy prej tyre: Sukseset në punë, ushqejnë ndjenjën e vetëkënaqësisë, dhe bashkë me të dhe humbjen e thjeshtësisë proletare, fillojnë të rriten pretendimet jo të drejta, kristalizohet ndjenja e rehatisë, të kap burokratizmi, teknokratizmi, e intelektualizmi. Kështu lind mendjemadhësia dhe ndjenja e epërsisë që në mënyrë progresive i vë kuadrot mbi masën e Partisë dhe mbi klasën. Unë, mendoj se këtu duhet shikuar dhe figura juaj.

HOKU PROKOP MURRA: Ne të tjerët, i dukeshim si miza atij.

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Jam dakord me mendimet e shokëve dhe s’jam aspak dakord me përgjigjet dhe qëndrimin e shokut Kadri në këtë mbledhje. Gjithë Byroja Politike por në veçanti shoku Enver, i bëjnë thirrje disa herë për të reflektuar që të mos e rëndojë edhe më shumë fajin që ka, madje kjo më bën që edhe në veten time, të kem shumë rezerva mbi të dhe mbi ndonjë mendim që kam shprehur këtu. Jam dakord me masat që propozohen, për gabimet shumë të rënda të bëra nga ai, për punën shumë të dobët, për drejtimin shumë të keq të dikasterit të tij, etj.

Dhe duke mos dhënë një shpjegim të qartë, dhe kjo na jep të drejtën që të nxjerrim shumë konkluzione. Kaq mund të them unë me aq sa biseduam sot. Shokut Enver dhe gjithë Byrosë Politike, ju jap fjalën se, do të punoj më fort në të ardhmen, do të luftoj për forcimin e unitetit marksist-leninist të Partisë, si dhe do të jep vigjilent për të ruajtur fitoret e arritura.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk dëshiroj që sot këtu, të jap fletë lavdërimi, dhe as e kam në zakon dhe në karakterin tim, por me gëzim të madh konstatoj se Byroja Politike u tregua në lartësinë e detyrës dhe me një logjikë të hekurt marksiste leniniste, dhe me drejtësi të madhe Partie dënoi gabimet shumë të rënda të Kadri Hazbiut. Dëshiroj të vë në dukje se qëndrimi përpara Byrosë Politike, autokritika dhe replikat e Kadriut këtu, më zhgënjyen edhe për atë fije shprese që kisha.

Megjithatë si marksist, shpresën prapë nuk e humbas por, nuk do ta kem atë besim që shoku Kadri, si në telefon ashtu dhe me një letër të veçantë që më ka dërguar, shprehte ndjenjat dhe besnikërinë e madhe për Partinë dhe për mua. “T’ja lëmë armikut Mehmet Shehu, atë cilësim që bëri për mua, duke më quajtur Jago” thotë ai. Është fakt i njohur që të gjithë komplotet e armiqve të Partisë, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, janë zbuluar nga Partia dhe asnjë nga Sigurimi i Shtetit. Përse?! Kjo, është një pikëpyetje e madhe që kërkon përgjigje.

Pikërisht sot ne, i kërkuam përgjigje Kadriut, por kësaj përgjigjeje ai, i bëri bisht në mënyrë dredharake. Ne i bëmë, dhe po i bëjmë një analizë veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut e bashkëpunëtorëve të tij, po kjo është akoma e përciptë. Na vihet si detyrë që t’i futemi thellë kësaj çështjeje, se këtu nuk është vetëm problemi për një krye-agjent si ai, por edhe i rrjetit agjenturor madje shumë të gjerë që ky armik ka ndërtuar në vendin tonë.

Bashkëpunëtorët kryesorë të Mehmet Shehut, tani janë në burg dhe po deponojnë, por përveç atyre ka edhe të tjerë të fshehur dhe të maskuar, që neve na bie detyra që t’i zbulojmë. Dhe këta do të gjenden, duke studiuar në thellësi veprimtarinë dhe qëndrimet e tyre politike, gjatë gjithë jetës. Asgjë nuk do t’i shpëtojë Partisë, në këtë drejtim. Shpejt ose vonë, gjithçka do të zbulohet. Është fakt që Mehmet Shehu, ka qenë poli-agjenti që i ka vënë në lëvizje të gjitha grupet armiqësore antiparti.

Mehmet Shehu, ishte rezidenti kryesor i CIA-s amerikane, Inteligjentes Servisit britanik, Dyzen Byrosë franceze, Gestapos gjermane, OVRA-s italiane, UDB-së jugosllave, KGB-së sovjetike, por mundet të ketë qenë dhe agjent i kinezëve. Për agjent i kinezëve them mundet, pasi tani për tani nuk kemi fakte, pasi Partia flet vetëm me fakte. Kurse për këto të tjerat, kemi. Të tëra këto lidhje të tij me agjenturat e tjera, janë të faktuara. Siç po na del, përgatitja e agjenturës së huaj në Shqipëri, është bërë jo vetëm nga Mehmet Shehu.

Ky i ka marrë në lidhje, agjentët e francezëve, gjermanëve, italianëve, rusëve, dhe jugosllavëve, pasi kohë më parë kishte marrë në kontakt ata të anglezëve dhe amerikanëve, si agjent i vjetër i tyre. Mehmet Shehu, nuk ishte një rekrutues i thjeshtë agjentësh, megjithëse ai vetë ka rekrutuar disa agjentë të kalibrit të lartë, të cilët deri në një farë shkalle ne, i dimë. Ai, i ka kompromentuar dhe i ka vënë këta në veprim. Mehmet Shehu, ishte drejtuesi i një agjenture të gjerë në vendin tonë, me armiq të brendshëm ose të jashtëm, të rekrutuar nga vetë ai ose, nga agjentura të ndryshme. Dhe të tëra këta ai, i kishte futur në veprim.

Qëllimi i tij ishte që të rrëzonte pushtetin popullor, të merrte fuqinë në dorë, qoftë nëpërmjet puçit ushtarak, të likuidonte shokët kryesorë, dhe të zbatonte planin anglo-amerikan që ja gjetëm në kasafortë pas vetëvrasjes. Duhet të kemi parasysh se çka kemi zbuluar deri më sot nga komplotet e shumta që kanë organizuar agjenturat e armikut, nuk janë të plota, për arsye se Mehmet Shehu me Feçor Shehun, dhe me të tjerë, kishin sabotuar si hetimet ashtu si edhe hyrjet e personave që mund ti pyesnin kriminelët.

Pra nga faktet del se ne, nuk kemi nxjerrë akoma gjithë veprimtarinë e këtyre armiqve pavarësisht se, shoku Kadri thotë që ka vajtur ditë e natë ne hetuesi por nuk ka zgjidhur gjë. Prandaj, na vihet si detyrë që, t’i thellojmë këto procese në materialet që kemi, gjithashtu dhe me elementët të cilët ose i kemi në burg, ose i kemi jashtë. Por unë mendoj se çështja më e rëndësishme, është ajo që brenda në punët e MPB-së, nëpërmjet akteve e veprimeve të ndryshme të njerëzve, sidomos të të gjithë banditëve të Mehmet Shehut me shokë, ne duhet të kontrollojmë sesi është zbatuar vija e Partisë, a ka pasur edhe sektarizëm të paramenduar, duke futur në burg njerëz që nuk e meritonin këtë apo atë dënim?!

 

Por me gjithë këshillat e dhëna, për fat të keq konstatoj se në dikasterin ku ke punuar, nuk ka ekzistuar një frymë e shëndoshë partie. Në vend të kësaj fryme atje, ka ekzistuar familjariteti i sëmurë. Sipas mendimit tim kjo gjë, ka krijuar mundësinë që agjentët e Mehmet Shehut, të vepronin lirisht në dikasterin që drejtoje ti. Ne me të drejtë, e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë me të drejtë Ministrinë e Punëve të Brendshme, si një armë të mprehtë të Partisë, e dinim se kemi pasur në Sigurimin e Shtetit, kuadro nga më të mirët e Partisë, njerëz gjakftohtë, vigjilentë, dhe besnikë.

Ky ka qenë vazhdimisht orientimi ynë për këtë çështje, por na del krejt e kundërta. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërtuan çerdhen e tyre banditët dhe spiunët, dhe ti ke një përgjegjësi të madhe për këtë, shoku Kadri. Por në këto çështje të mëdha, konstatoj se fryma dhe orientimi i shëndoshë që ka dhënë këtu Partia, ka qenë me dy presa. Ka pasur kuadro të këtij sektori, që e kanë kuptuar këtë situatë, por ka pasur dhe nga ata që nuk e kanë kuptuar këtë gjë dhe kanë bërë të kundërtën, dhe një nga ata ke qenë ti Kadri, gjë që ka krijuar në opinion një situatë të rrezikshme për Partinë, sa që mendohet sikur ekziston një paprekshmëri për punonjësit e Sigurimit të Shtetit. Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mao: 04/12/2022 13:49

    Agjent amerikan,gjerman,anglez,jugosllav kinez,sovjetik,grek,italian,mos ka harruan ndonje shtet,me duket se Izraelin Si nuk ja kujtoi ndonje nga ata buratinot e byrose.E tmerrshme,gjithemone do te na qeverisin neve kesisoj monstrash.Saliu thosh protestues me çadra me fisheke dhe thika me helm dhe prape byrote e reja e degjonin gjithe pasion

    Përgjigju
  • Eri: 04/12/2022 08:44

    Ai Kadriu si Rama me duket.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan