Unifikim doganave me Kosovën
Rama: Në verë s'do ketë kontrolle

Unifikim doganave me Kosovën<br />Rama: Në verë s'do ketë kontrolle
VERMICE - Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij kosovar Isa Mustafa kanë përuruar ditën e sotme pikën e përbahkët të kalimit kufitar të Vërmicës. Në fjalën e tij gjatë përurimit, Kryeministri Rama e cilësoi këtë ditë të shënuar, pasi bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve po materializohet tashmë me marrëveshje konkrete, dhe që sipas Ramës synojnë vetëm të bashkojnë shqiptarët e të dy vendeve.

Në këtë drejtim Rama theksoi se me doganën e Vërmicës, shkurtohen pengesat dhe burokracitë e kalimit kufitar mes dy vendeve në një proces që do të zgjasë 5 minuta dhe jo më në 2 ditë siç ishte,  ndërsa theksoi se synimi i përbashkët i dy vendeve është të shkohet drejt një bashkimi kombëtar doganor.

Shefi i qeverisë po ashtu bëri të ditur se Durrësi do të jetë kontrolli i vetëm që do të kryhet për kalimin në Kosovë, ndërsa gjatë verës në Morinë për këdo që do të hyjë në Shqipëri do të jenë fare të pakta dhe tepër lehtësuese

“Është një ditë e shënuar sepse i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash, për sipërmarrjen që punon në dy anët e kufirit, dhe ka nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për t’u vonuar por për ta pasur si pikë kalimi pa asnjë vonesë e burokraci. Nga sot nuk janë më 2 ditë vonesat e kalimit nga njëra anë në tjetrën, por vetëm 5 minuta. Dhe kufinjtë janë pika bashkimi dhe jo ndarje. Kjo ka qenë synimi jonë, të një bashkimi doganor me Kosovën. Ja ku jemi sot në një nga ato ditë ku materializojmë një pjesë tjetër të gjithë atij mozaiku që kemi përcaktuar nga mbledhja në Prizren. Në ditën kur transiti i mallrave nuk është më ndërkombëtar si deri dje, por bashkim i zyrave doganore të dy vendeve tona. Nuk është kosto e dyfishtë, por është një procedurë e vetme që përbashkon në një rrugë dy sistemet e të njëjtës gjuhë. Faktikisht nga sot porti i Durrësit është pika e vetme e kontrollit, dhe mjafton ajo për të shkuar në Kosovë pa qenë nevoja për të rifilluar procedurat edhe këtu. Ky është një proces në vazhdim, që siguria e dhënë në territorin doganor të Kosovës të jetë e vlefshme dhe në Shqipëri dhe anasjelltas. Në 2 shkurt u lidh edhe kontrata e zgjerimit të hyrjes në pikën doganore të Morinës. Siç e kam komunikuar me mikun dhe kolegun Mustafa, nga vera do të nisë një regjim i ri ku nuk do të ketë më kontrolle 1 për 1 të veturave me të cilat familjet e Kosovës vijnë në Shqipëri për pushime. Por do të ketë kontrolle të rastësishëm dhe të lehtësuar.” tha Kryeministri Rama

Nga ana e tij, edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve,  duke shtuar se dogana e Vërmicës është në të mirë të bizneseve dhe qytetarëve të të dy vendeve.

"Inaugurojmë një marrëveshje të përbashkët mes dy qeverive nga mbledhja në Prizren dhe shpresoj që këto marrëveshje të vijojnë të zbatohen si rrejdhojë e bashkëpunimit tonë të ngushtë. Bashkëpunimi ekonomik do të jetë shprehje e bashkëpunimit tonë, shprehje e të qenurit bashkë dhe në rrugën drejt integrimit evropian. Me këtë pikë doganore, përfitojnë bizneset, eficensa e tatimeve. Do të bëhet një rezultat më i madh i evazioni fiskal dhe procedurave të përgjithshmë ne fushën e efikasitetit fiskal. U konstatua edhe nga dy drejtorët se qëllimi nuk është vetëm shkurtimi i kohës së zhdoganimit, por ehde ulja e kostove, nga të cilët përfitojnë bizneset dhe qytetarët. Jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe më tutje." tha Mustafa

edi rama mustafa

Rama: Mbledhja e 2 qeverive në fund të marsit në Tiranë
Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se projektet e konkretizuara deri më tani vijnë si rezultat i marrëveshjeve nga mbledhja e parë e qeverisë e mbajtur në Prizren. Në këtë kuadër, Rama bëri të ditur se mbledhja e radhës do të zhvillohet në fund të marsit në Tiranë.

“Deklarata e përbashkët e mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren, që do të ketë raundin e dytë në fund të marsit, do të ketë bashkëpunimin e infrastrukturës, dhe bashkërendimin për të ndërtuar sisteme unike në arsim dhe kulturë. Kanë filluar të jetësohen projekte që i përkasin kësaj marrëveshje, dhe e vendosin mbledhjen e dytë në një stad shumë më të avancuar. Qysh nga pavarësia e Kosovës, qytetarët, mediat, artistët, kanë ditur të bashkërendohen më mirë dhe me më shumë efikasitet se qeveritë. Por tashmë bashkërendimi është i fokusuar në modernizim dhe zhvillim. Dua të përshëndes Kryeministrin Isa Mustafa dhe e mirëpres në fund të marsit në Tiranë kur do të bëhet edhe mbledhja e dy qeverive.” tha kryeministri shqiptar.

— Edi Rama (@ediramaal) February 16, 2015
Njoftimi për përurimin e pikës së përbashkët doganore në Vërmicë, fillimisht u dha nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, ku thuhej se:

“Kryeministri Isa Mustafa sё bashku me Kryeministrin e Republikёs sё Shqipёrisё, Edi Rama, pёrurojnё tranzitin e pёrbashkёt doganor nё mes tё Kosovёs dhe Shqipёrisё”.  thuhej në komunikatën e Kryeministrisë së Kosovës

Redaksia online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot