Unioni i Transportit njofton se duke nisur nga sot linjat e transportit publik në Tiranë do të funksionojnë me mjete te reduktuara. Në një deklaratë, Unioni bëri të ditur se shkak për reduktimin e mjeteve të transportit publik në qarkun e Tiranës janë sfidat dhe shqetësimet më të cilat, sipas tyre, janë përballur operatorët e këtij shërbimi së fundmi.

Ndonëse Unioni i Transportit publik lajmëroi se nga kjo e hënë do të funksionojnë me mjete te reduktuara, në terren situata duket ndryshe.

“Jo shumë në rregull autobuzët. Me kondicionerë, komode”, tha një qytetare.

“Janë ca linja, shumë të rregullta. Ato që janë larg, vonohen pak pasi nuk ka shumë njerëz”, tha një tjetër.

Vijim normal të punës së linjave të autobuzëve e konfirmoi dhe kruebashkiaku Erion Veliaj. Por nëse se do të ketë reduktim, ai tha se qëndrimi ndaj cilësdo linjë që ndërmerr një vendim të tillë do të jetë i ashpër, deri në heqjen e licencës.

“Sot kemi pasur një ultimatum të padrejtë dhe të pandershëm nga të gjitha shoqatat e transporti publik të Tiranës. Kur dikush të vendos një ultimatum në temperaturë 40 gradë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm në të njëjtën mënyrë. Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën. Më rezulton se deri në këtë orë kanë dalë të gjithë në punë” u shpreh Veliaj.

I gjithë ky qëndrim sipas Unionit të Traspotit, vjen për shkak të vështirësive ekonomike me të cilat po përballen operatorët.

“Ka filluar reduktimi i flotës së operatorve, në varësi të mundësive financiare që ata kanë, nga 20 deri në 40% të flotës aktuale që ato kanë të lidhur me kontratë me bashkinë.Kemi kërkuar heqje të taksës së qarkullimit, reduktimin e TVSH, heqjen e akcizës së karburantit, rimburisimi i kategorive që përfitojnë udhëtimin falas, ose të indeksohet çmimi i biletës”, tha Konstandin Foni, kryetrar i Shoqatës së Transportit Qytetas.

Unioni i Transportit Publik u bën thirrje organeve përgjegjëse që të nisin urgjent një dialog për të adresuar shqetësimet financiare të operatorëve që e ofrojnë këtë shërbim.

“Jemi në pritje të një përgjigjeje nga institucionet përgjegjëse”, tha Foni.

“Rënia në vesh të shurdhët e kërkesave tona ekonomike, mos indeksimi i biletave, natyrisht që do të vinte dita dhe do të vijë dita që mos të ketë asnjë autobuiz në rrugë”, tha Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të Shqipërisë.

Në Shqipëri aktualisht operojnë vetëm linjat private të transportit publik, por duket se shumë shpejt situate do të ndryshojë, pasi Veliaj tha se do të vihet në funksion linja publike e transportit kryeqytetas.

Njoftimi i Unionit të Transportit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:53
Veliaj u përgjigjet shoqatave të transportit publik: Kush nuk del sot në punë, do të humbasë automatikisht licencën! Bashkia e Tiranës e vetmja që e subvencionon këtë shërbim

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ka dhënë përgjigje ultimatumit të Unionit të Transportit Publik, i cili lajmëroi se nga dita e sotme do të reduktojë autobusët urbanë në kryeqytet. Duke e cilësuar një pabesi ndaj qytetarëve të Tiranës, sidomos në një periudhë me temperatura mjaft të larta, Veliaj tha se qëndrimi ndaj cilësdo linjë që ndërmerr një vendim të tillë do të jetë i ashpër, deri në heqjen e licencës.

“Sot kemi pasur një ultimatum të padrejtë dhe të pandershëm nga të gjitha shoqatat e transporti publik të Tiranës. Kur dikush të vendos një ultimatum në temperaturë 40 gradë, sigurisht që mund t’i përgjigjesh vetëm në të njëjtën mënyrë. Premtimi im është: Kush nuk del sot në punë do të humbasë automatikisht licencën. Më rezulton se deri në këtë orë kanë dalë të gjithë në punë, por ftesa ime është që, në 2023-shin, kjo nuk është mënyra për të ecur përpara. Nuk ecet përpara me ultimatume. Jo të paktën me këtë kryetar bashkie dhe me këtë Bashki të Tiranës. Nuk bëhet kjo në pabesi, në një fundjavë mes korrikut dhe gushtit, nuk bëhet në një qytet që, në fakt, është i vetmi që subvencionon transportin publik, që paguan edhe për studentët që udhëtojnë falas, që i ka kompensuar edhe naftën edhe karburantin operatorëve,” u shpreh Veliaj.

Ai tha gjithashtu se së shpejti do të vihet në funksion linja publike e transportit kryeqytetas.

“Ne mund të kompensojmë ato që realisht janë në faturat e shtetit dhe në raportimet që bëhen pranë Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve financiare të Republikës së Shqipërisë. Çdo faturë tjetër, që është imagjinare, ose që ndodh në të zezë, për ne nuk ka si të justifikohet. Kështu që, kërkesa për operatorët është formalizimi! Sigurisht, mësimin që nxorra këtë fundjavë do ta shfrytëzoj për të ecur edhe më shpejt me një linjë publike dhe me ndërtimin e një autoriteti të transportit publik. Megjithatë, besoj se ishte e pandershme që Bashkia e Tiranës të shantazhohej në një mënyrë të tillë, ndërkohë që kemi 8 vite që e provojmë se askush nuk mund ta shantazhojë Bashkinë e Tiranës. Ndaj, më vjen mirë që i thirrën mendjes edhe sot dolën në punë. Megjithatë, nëse gjatë orëve të ditës dikush do të çedojë në shërbim dhe do t’i rikthehet atij ultimatumi banal që patëm në fundjavë për të ndërprerë në mënyrë të paparalajmëruar transportin publik në Tiranë, sigurisht që nuk do të ngurroj,” deklaroi më tej Veliaj.