TIRANE- Reforma që po kryhet në arsimin e lartë tashmë duket se i ka vendosur piketat e para se ku do të mbështetet. Grupi i punës ka mbyllur draftin paraprak për ndryshimet që do të kryhen dhe një prej tyre është edhe rikthimi i mesatares për ata persona të cilët do të shkojnë në universitete. Kjo tregon se procesi i maturës do të jetë thjesht dalës dhe universitetet do të vendosin një mesatare të notës 6 për pranimin e studentëve. Kjo notë do të aplikohet vetëm tre vitet e para, më pas jo do të jetë 7. Ky është një nga propozimet që ka bërë grupi i punës, sa i përket pranimi të studentëve në universitete.

“Të vendoset një notë mesatare dysheme, (6 fillimisht, kriter i cili mund të rishikohet me kalimin e kohës gjatë zbatimit të reformës me qëllim rritjen e këtij pragu brenda 3 viteve pasardhëse në 7), si kriter kombëtar për hyrjen në testim në programin Bachelor të organizuar nga IAL” thuhet në draftin e paraqitur nga grupi i punës. Ndërkohë një tjetër propozim është se studentet nuk mund të ndjekin dy programe studimi njëkohësisht.  “Të ndalohet ndjekja e njëkohshme dhe regjistrimi  i çdo studenti në më shumë se një program studimi, referuar të gjitha cikleve. Kjo të arrihet me akte normative dhe nëpërmjet sistemit të matrikullimit” thuhet në draft. Por drafti ka parashikuar edhe transferimet, pasi ato nuk do të lejohen nga arsimi privat në atë publik dhe anasjelltas. “Transferimet lejohen vetëm brenda të njëjtit cikël dhe fushe studimi, të njëjtë ose të përafërt, gjithmonë midis institucioneve të të njëjtit profil. Në përgjithësi kjo duhet të dekurajohet” thuhet ne draftin e Ministrisë së Arsimit.

Një tjetër pjesë e diskutuar në draft është edhe ajo e programeve part- time. “Të mbyllet sistemi i studimeve «me kohë të pjesshme» për të gjitha ciklet dhe programet e studimit si në IAL-të publike edhe ato private” thuhet në sugjerimet e ekspertëve. Kjo pasi sistemi me kohë të pjesshme është cilësuar si një “plagë” e arsimit të lartë. “Ky sistem, ligjërisht u jep studentëve të njëjtën diplomë me sistemin me kohë të plotë, pa asnjë dallim në standardet e përdorura në procesin e vlerësimit dhe akreditimit. Studentët mund të futen në të lehtësisht pa kritere përzgjedhëse, pa u shpallur fitues, bazuar në sistemin e maturës shtetërore, me mesatare minimale, pa kuota të studiuara në raport me nevojat e tregut dhe vendit” thuhet në draft. Sipas ekspertëve sot mësimi zhvillohet vetëm në 2 ditë në javë nga 5 ditë në të cilat shtrihet po e njëjta kurrikul për sistemin me kohë të plotë.

Por një tjetër problematike që sheh drafti është se pavarësisht nga starti pjesa më e madhe e këtyre studentëve pasi diplomohen në Ciklin e Parë me kohë të pjesshme i drejtohen  Ciklit të Dytë të studimit (me kohë të plotë) duke bërë kështu të mundur që “të zhduket” përfundimisht “historia e tyre” e fillimit të studimeve pa meritë në IAL.

Shkrimi u publikua sot 29 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)